Site icon Telegrafi

Do ta kemi Shqipërinë…

Ju kuptojmë që jeni politikan për bukën e gojës, ju kuptojmë edhe kur nuk deklaroheni publikisht për bashkimin kombëtar, por assesi s’mund t’ju kuptojmë kur mundoheni të ngritni pengesa dhe barrikada me deklarimet tuaja kundër vullnetit të popullit shqiptar. Sot, më shumë se kurrë po e kuptojmë edhe thënien e Faik Konicës, “O Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”.

Bashkimi kombëtar është i një rëndësie të veçantë, ngase është mjaft kompleks, kur dihet se bëhet fjalë për ndjenjat e shtatë milionë shqiptarëve të ndarë në disa shtete afërsisht që një shekull. Kjo temë kërkon analizë dhe studim nga mendjet e ndritura të Atdheut për të gjetur mënyrat më të përshtatshme për përafrimin dhe bashkimin e Shqipërisë, por edhe individët sadopak mund të kontribuojnë me pikëpamjet e tyre realiste dhe moderne.

Ideja e bashkimit kombëtar nuk ka lindur sot, kjo ëndërr ekziston që nga ndarja e Shqipërisë më 1913. Që nga ajo kohë shqiptarët andej e këndej Drinit nuk kanë pushuar së vepruari për ta trasuar rrugën drejt bashkimit kombëtar.

Kur vritet mirëbesimi…

Për shqiptarët e Kosovës rol të veçantë ka luajtur padyshim shteti shqiptar, i cili e mbante gjallë shpirtin e patriotizmit në Kosovë dhe ishte promotor i të gjitha zhvillimeve këndej kufirit, duke i mbështetur me të gjitha mjetet, format dhe mundësitë.

Gjatë gjithë asaj kohe shteti amë mbetej vetëm ëndërr jona, edhe pse i varfër dhe i izoluar atëbotë, ai mbetej ‘‘Utopia’’ jonë ngase ata kishin çdo gjë në shqip, ata kishin abetaren të cilën mund ta shfletonin edhe në sheshin e Tiranës pa ndonjë frikë, ata kishin shkollat e tyre, ata kishin teatrin, televizionin, operën, institucionet, rrugët dhe gjithçka tjetër në shqip.

Filozofi i krishterë, Augustini, në librin e tij “Qyteti i zotit”, thotë : “Është kërcënimi nga armiku që i shtrëngon qytetarët të frenojnë lakmitë e tyre dhe të zbutin prirjet e tyre joshoqërore. Dhe në qoftë se largohet kërcënimi nga jashtë, largohet gjithashtu i vetmi motiv i tyre për ta trajtuar njëri-tjetrin njerëzishëm”. Kjo mbase shpjegon se përse shqiptarët e Kosovës para lufte ishin aq koherent dhe kompakt, në përgjithësi, të konsoliduar në mendime dhe veprime si komunitet dhe si elitë politike, duke e pasur një qëllim të vetëm!

Shqiptarët nuk u ndalën asnjëherë duke ecur drejt objektivit të tyre final, çlirimit nga Serbia dhe bashkimit me Shqipërinë, duke u angazhuar me bisedime, pastaj me protesta e me greva; u munduan me të gjitha mënyrat paqësore për të arritur objektivin. Dhe, pas shterimit të të gjitha formave paqësore, nuk mbeti rrugë tjetër, pos luftës për çlirimin e Kosovës, sepse, dihet, liria nuk falet, por fitohet!

Menduam që pas luftës çlirimtare të Kosovës, rruga drejt bashkimit do të ishte më e afërt dhe më e lehtë, por, për çudi, pas çlirimit nga Serbia, mirëbesimi i klasës politike, siç duket, u vra në luftë dhe entuziazmi për bashkim me Shqipërinë u zhvendos në plan të dytë, edhe pse ne në luftë kishim hyrë nën betimin për bashkim kombëtar, ndërsa Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë kanë rënë duke e mbrojtur këtë ideal, kurse pas luftës kjo mbeti vetëm angazhim dhe ide e disa individëve dhe e grupeve, kështu pra duke u injoruar nga prioriteti afatgjatë i politikëbërësve tanë, të cilët mundohen të ruajnë privilegjet në shoqëri.

Ju kuptojmë që jeni politikan për bukën e gojës, ju kuptojmë edhe kur nuk deklaroheni publikisht për bashkimin kombëtar, por assesi s’mund të ju kuptojmë kur mundoheni të ngritni pengesa dhe barrikada me deklarimet tuaja kundër vullnetit të popullit shqiptar. Sot, më shumë se kurrë po e kuptojmë edhe thënien e Faik Konicës, “O Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”

Ky egoizëm i njëanshëm, që ka kaluar në egocentrizëm të klasës intelektuale dhe politike në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, viteve të fundit ka akumuluar probleme që vazhdimisht po rriten si tumore në trupin e atdheut, në hapësirën tonë.

Shpikja e dallimeve artificiale brenda gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në Kosovë tash e disa vite disa individë, të mos themi grupe, po përpiqen të krijojnë një identitet të ri – kosovar, duke u munduar që të shpikin dallime artificiale brenda gjuhës dhe kulturës shqiptare, sidomos faktori ndërkombëtar, por nganjëherë të ndihmuar edhe nga vetë ne shqiptarët, duke u munduar që t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe për çudi asnjëherë serbët, të cilët këmbëngulin se termi ‘‘kosovar’’ nuk ekziston, dhe se në Kosovë jetojnë ‘‘shiftarë’’ dhe serbë, me tendencë që të na paraqesin ndryshe nga që jemi! Problemi i identitetit ka krijuar edhe problemin e gjuhës sonë, që herë-herë tentohet që t’i iket gjuhës së njësuar shqipe, duke krijuar mikse gjuhësh, që do të ishte kthim prapa!

Nuk mendoj se krijimi i kosovarçes (jo i gegërishtes) si gjuhë e përdorshme në Kosovë është tjetër, përveç përzierje e shqipes, e serbishtes dhe e turqishtes – sikurse flamuri ynë shtetëror, që do të thotë krijim i një multiidentiteti kulturor, i cili nuk mendoj se do të ngjizet ndonjëherë.

Të jesh shtet multietnik nuk do të thotë që traditën dhe gjuhën ta unifikosh në bazë të hapësirës së përbashkët, por që në mjedisin e përbashkët të krijosh hapësirën e jetesës së lirë, duke respektuar gjuhën, zakonet dhe traditën e secilit komb që bën pjesë në këtë vend.

Ndërsa po të shkosh në Jugun e Republikës së Shqipërisë, atje nuk të duket se je në Shqipëri, sepse edhe emërtimet e rrugëve i sheh në gjuhën greke! Atje është bërë modë ndërrimi i kombësisë nga shqiptarët përmes vendimeve të gjykatave, duke kaluar nga kombësia shqiptare në të shumtën e rasteve në grekë dhe më pak në atë serbe.

Ky problem është theksuar më shumë në dy vjetët e fundit, sepse në fund të 2011-ës pritet të bëhet regjistrimi i popullsisë në Republikën e Shqipërisë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë pretendon se regjistrimi i popullsisë në bazë të fesë dhe të etnisë është kërkesë e Bashkimit Evropian, kështu, duke pretenduar që sistemin kombëtar statistikor ta përafrojë me atë evropian! Shumica e shteteve evropiane nuk e kanë këtë kriter për regjistrimin e popullsisë, sepse shteti e ka të ndaluar të pyesë një qytetar për besimin fetar të tij, sepse konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, por edhe e kushtetutës. Atëherë përse e bën këtë shteti shqiptar, sikur do ta hapë derën e së keqes?!

Ky regjistrim mbi bazën e këtyre kritereve ka krijuar rritjen e numrit të minoriteteve në Republikën e Shqipërisë, që do të thotë prishjen e kompaktësisë demografike të Shqipërisë, pakësimin e popullatës shqiptare në mënyrë artificiale, duke e drejtuar shtetin shqiptar drejt shtetit multietnik, sikurse Kosova (edhe pse me rreth 93% shqiptarë)!

Por këto “kriza” të identitetit shqiptar nuk do të na zmbrapsin nga objektivi ynë final, bashkimi kombëtar, i cili nuk arrihet vetëm duke unifikuar abetaren dhe duke krijuar tregun e përbashkët për mallra, por këto elemente duhet të jenë vetëm nismë e mbarë drejt përafrimit tonë kombëtar, në arsim, shkencë, teknologji, në rregullimin e administratës lokale, decentralizimin lokal, në shëndetësi, polici dhe në të gjitha instancat shtetërore, por edhe duke bërë pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja (toskë + gegë), për t’i përafruar sa më shumë dallimet gjuhësore.

Kështu do të arrijmë të plotësojmë standardet evropiane, por njëherësh edhe standardet tona kombëtare që një ditë unifikimi kombëtar të jetë i qetë, pa turbulenca, për t’i shërbyer edhe stabilizimit ekonomik, atij politik dhe sigurisë në Ballkanin “e trazuar”, sepse Evropa e Bashkuar kërkon stabilitet, dhe stabiliteti nuk mund të bëhet me shqiptarë të pakënaqur!

(Autori është student i vitit të III-të, Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Perugias të Italisë)

Exit mobile version