Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit janë organizuar dhe zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta.
DnV vlerëson se dita e zgjedhjeve, respektivisht procesi i votimit dhe numërimit në përgjithësi është zhvilluar i qetë, i rregullt, dhe pa ndonjë parregullsi serioze që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor.
“Sidoqoftë, dita e zgjedhjeve është shoqëruar me disa parregullsi të izoluara, të cilat janë evidentuar edhe gjatë cikleve të mëparshme zgjedhore. Publikimi i rezultateve preliminare dhe daljes në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore nga KQZ-ja, ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së publikut në zgjedhje”, thuhet në përmbledhje.
Sipas Demokracia në Veprim qytetarët e Kosovës dëshmuan një kulturë të lartë demokratike duke dalë në masë të konsiderueshme për të votuar, përkundër motit të keq dhe situatës me pandeminë.
“Subjektet politike garuese, përmes pranimit dhe respektimit të vullnetit qytetar menjëherë pas publikimit të rezultateve, kanë kontribuar në avancimin e vlerave demokratike të zgjedhjeve dhe besueshmërisë së qytetarëve në to”, thuhet më tej.
Sipas koalicionit të organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, ajo çfarë bie në sy si fenomen në këto zgjedhje është, bazuar në rezultatet preliminare, humbja e disa subjekteve politike tradicionale nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, sidomos nga radhët e komunitetit boshnjak dhe ai rom.
“Tek subjektet e reja fituese, vërehet një elektorat i koncentruar dhe numër i pazakontë i votave të fituara në zonat e banuara me shumicë serbe, sidomos në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë ku përgjithësisht nuk ka përqendrim të madh demografik të komuniteteve respektive”.
DnV theskon se puna e trupave menaxhuese të zgjedhjeve, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë kryesisht transparente, ndërsa Sekretariati i KQZ-së ka qenë bashkëpunues sidomos me organizatat e shoqërisë civile.
“Trupat menaxhuese të zgjedhjeve kanë njoftuar në pothuajse të gjitha rastet e mbajtjes së mbledhjeve. Sidoqoftë, materialet nuk janë publikuar në kohë në faqen elektronike të KQZ-së; Sidoqoftë, pothuajse përgjatë tërë kohës, janë shënuar përplasje mes anëtarëve të KQZ-së, përkatësisht mes anëtarëve të një subjekti politik dhe Kryetares së KQZ-së. Kjo ka ndikuar që një numër i madh i mbledhjeve të ndërpriten apo të shtyhen”.
Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së janë cenuar nga ndërhyrjet nga palët e jashtme, posaçërisht nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit përmes deklarimeve të saj publike.
Demokracia në Veprim thekson se kryetarja e KQZ-së ka qenë target i sulmeve të shumta nga subjektet politike por edhe palë tjera.
“KQZ-ja, përkundër afateve të shkurtuara, ka arritur t’i përmbyllë pothuajse të gjitha aktivitetet dhe operacionet zgjedhore pa vonesa. Përjashtim bën vetëm operacioni i votimit jashtë vendit, i cili nuk ka arritur të mbyllet në tërësi brenda afatit. Kjo për shkak se vendimi i KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit, nuk kishte arritur të përmbyllet brenda afatit të paraparë. Ndonëse KQZ-ja kishte adresuar çështjen e vlefshmërisë së dokumenteve të nevojshme për identifikim të votuesve, me anë të një vendimi të pazakontë në ditën e zgjedhjeve, ka ndryshuar të njëjtin, duke lejuar votimin e personave me dokumente me afat të skaduar”, thuhet më tej.
Sipas DnV përfaqësimi i grave në trupat për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve mbetet në nivele relativisht të ulëta.
Zotimi i subjekteve politike i vitit 2015, për garantim të përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve në shkallën 40%, nuk është përmbushur.
Përmbledhjen e plotë mund ta lexoni këtu: /Telegrafi/