Site icon Telegrafi

DnV tregon opsionet që mund të merr KQZ nëse votohen edhe numrat e kandidatëve të pacertifikuar

Kandidatët të cilët nuk u certifikuan për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të figurojnë në manualet e kandidatëve. Mirëpo, edhe nëse votat hidhen në numrat e tyre, sipas organizatave që monitorojnë zgjedhjet do të jenë të vlefshme vetëm për partitë e tyre.

Votat nuk do të shpallet e pavlefshme nëse votohen numrat e kandidatëve të pa certifikuar.

“Vota do të jetë e vlefshme për subjektin politik, nuk numërohet për numrin që nuk ka emër ne listën e KQZ-së, por vlen për numrat tjerë. Kjo është sikurse nëse një subjekt politik nuk i ka 110 kandidatë në garë e qytetari e voton numrin 110. Por sigurisht vota për atë numër nuk llogaritet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Florent Spahija nga “Demokracia në Veprim”.

Spahia ka dhënë edhe opsionet që mund të jep KQZ në rast se votohen kandidatët që nuk janë në listat zgjedhore.

“KQZ në këtë rast mund të numërojë votën për subjektin politik, ndërsa numrat që janë zgjedhur nga pjesa e kandidatëve nuk numërohen”, tregon më tej Spahija.

KQZ deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim se çfarë do të ndodh me ato fletëvotime ku votohen edhe numrat e kandidatëve që nuk janë certifikuar.

Lidhur me këtë temë, për Telegrafin ka folur përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.

Kurteshi fajësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, për shkak se në opinion janë krijuar këto paqartësi.

Lexo po ashtu Vetëvendosje sqaron se çfarë ndodhë me votat e Kurtit, nëse qytetarët votojnë numrin 1

“Fleta e votimit i ka në njërën anë subjektet politike dhe në anën tjetër numrat e kandidatëve. Secili votues ka të drejtë të votojë një subjekt politik dhe pesë numra sipas përzgjedhjes së tij. Po të ishte ndryshe do të hiqnim numrat, kjo është një ‘spin’ që po e përhapin LDK dhe partitë tjera për të habitur njerëzit. Secili votues ka të drejtë të votojë secilin kandidatë nga numri 1 e tutje, ose ka të drejtë të mos votojë asnjë kandidatë edhe vlen vetëm vota për subjektin polik. Në këtë vend po përpiqen të shkatërrojnë çdo gjë. Është absurditet që po përhapet nga PDK dhe LDK, pra nuk mund të shpallet vota e pavlefshme. Ajo vetëm zyrtarisht nuk numërohet, pra vota për një kandidatë që nuk është i certifikuar, por vota nuk shpallet e pavlefshme”, sqaroi ai./Telegrafi/

Exit mobile version