Telegrafi

DnV do të ketë 90 vëzhgues nesër, Cakolli: Gjatë fushatës zgjedhore nuk u respektuan masat antiCOVID

Eugen Cakolli, KDI

Demokracia në Veprim do të ketë të angazhuar 90 vëzhgues të dielën, në komunat ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, ka bërë një vlerësim të ecurisë së deritanishme të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, transmeton Telegrafi.

Cakolli tha se kandidatët për kryetar kanë kaluar nga fushata digjitale në tubime me qytetarë.

“Aktivitetet e kandidatëve nëpër komuna, qofshin në hapësira të mbyllura apo të hapura, në masë të madhe janë zhvilluar në shkelje flagrante të të gjitha masave anti-COVID. Organizimi i tubimeve me numër shumëfish më të lartë të pjesëmarrësve se që është e lejuar, mosbartja e maskave dhe mungesa e distancës janë evidentuar në pothuajse të gjitha aktivitetet e organizuara”, ka theksuar ai.

Më tej, Cakolli tha se përkundër se janë raportuar rastet kur ka pasur shkelje gjatë tubimeve, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore.

“Mungesa e kontrolleve sistematike e rutinore nga Policia e Kosovës dhe AUV-i, si dhe gjobat e pamjaftueshme nga këto institucione – kryesisht në vlera minimale – kanë bërë që takime të tilla të zhvillohen lirshëm gjithandej nëpër komuna, e posaçërisht gjatë ditëve të fundit ku numri i pjesëmarrësve në aktivitete varionte nga qindra deri në mijëra sosh.

Edhe në rastet kur vet KQZ-ja ka raportuar për organizim të tubimeve në kundërshtim me masat fuqi, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore, pa anashkaluar faktin që shumica e këtyre tubimeve kanë qenë publike apo të njëjtat janë reklamuar nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre. Po ashtu, një numër i madh i aktiviteteve janë zhvilluar edhe në hapësirat e shkollave të ndryshme nëpër komuna, madje në raste të caktuara edhe brenda ndërtesave, që paraqet shkelje të vendimit të MASHT-it lidhur me këtë çështje”, ka pohuar ai.

Cakolli pohoi tutje se programet e kandidatëve kanë qenë të njëjtat që janë prezantuar në raundin e parë.

“Programet politike të kandidatëve kanë qenë kryesisht të njëjta me ato që janë prezantuar para votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve. Në raste të caktuara, kandidatët kanë treguar ndjeshmëri ndaj problemeve që qytetarët kanë ngritur gjatë takimeve, duke i përfshirë ato në programet e tyre. Vlen të theksohet se sa i përket publikimit të programeve politike është shënuar avancim i ndjeshëm, meqë në gati të gjitha komunat që kanë pasur fushatë për balotazhin, programet janë bërë publike, si në formë të broshurave – që janë shpërndarë në hapësira publike apo edhe nëpër lagje të caktuara – ashtu edhe në formate elektronike”, shtoi tutje Cakolli.

Cakolli bëri thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë ditën e nesërme.

“Në fund, DnV i bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që nesër të dalin dhe të votojnë së më masovisht, duke zgjedhur udhëheqësit e tyre në nivelin lokal, por edhe duke kontribuar kështu në avancimin e demokracisë. Në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë të angazhuar 90 vëzhgues, të cilët do të jenë të shpërndarë në mënyrë proporcionale nëpër komuna, duke u bazuar në një mostër të provuar statistikore”, pohoi ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet nesër në 21 komuna. /Telegrafi/