Site icon Telegrafi

DnV: Shtohen rastet e tentimit për votim të dyfishtë

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) për vëzhgimin e zgjedhjeve në Drenas, në një konferencë për media, ka raportuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në orën 13:00.

Visar Sutaj nga koalicioni DnV, tha se deri në orën 13:00 kanë votuar 10,691 votues apo shprehur në përqindje 20.34%., ndërsa janë regjistruar parregullsi te shumta, që kanë të bëjnë me me votim të dyfishtë dhe fotografim vote.

“Deri më tani janë evidentuar 67 raste kur votuesit nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar. Janë identifikuar 6 raste të fotografimit të votës. Konkretisht në vendvotimin 0301X/03R në Gllogoc, shkolla ‘Halil Bajraktari’, ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është evidentuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të ndërmerret në raste të tilla”, tha Sutaj, raporton Telegrafi.

“Po ashtu janë evidentuar 3 raste kur i njëjtë person ka asistuar më shumë se një herë për të votuar. Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën ‘Xhevë Lladrovci’, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim një nga anëtarët e KVV-së ka asistuar një qytetarë në votim”, tha ai.

“Në qendrën e votimit në Nekoc në shkollën ‘Bajram Curri’ janë shtuar rastet e tentimeve për votim të dyfishtë. Një grup prej pesë personash kanë tentuar të votojnë përkundër identifikimit të sprejit në duar. Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe prej një grupi tjetër prej tre personave. Komisionerët u kanë tërhequr vërejtjen se nëse bëhet fjalë për votim të dyfishtë mund të ndiqen penalisht dhe ata më pas janë tërhequr. Në po këtë qendër, një personi që i është identifikuar spreji në dorë, por i është lejuar të votoj pasi që emri i tij ka figuruar në listën e votuesve që nuk kanë votuar”, tha Sutaj.

Sipas tij, në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka votuar pa mjet identifikues fizik duke paraqitur letërnjoftimin përmes fotografisë në telefon.

“Në Poklek në shkollën ‘Fehmi Lladrovci”’ vetëm brenda orës së fundit ka pasur 5 tentime për votim të dyfishtë”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version