Site icon Telegrafi

DnV: Respektim jo i kënaqshëm i masave antiCOVID nga qytetarët, dalje më e madhe në komunat e vogla

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit në 21 komunat ku po zhvillohet balotazhi është përafërsisht e njëjtë me raundin e parë, rreth 7%.

Komunat me daljen më të madhe janë: Mamusha (18%), Juniku (17%), Kllokoti (12%) dhe Shtimja (11%), ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën e Dragashit (4%).

Deri më tani është raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-COVID nga ana e komisionerëve (70%), ndërsa qytetarët po tregojnë edhe më pak kujdes në respektim të masave (në nivelin 56%).

Raportohet edhe për vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta sesa në raundin e parë. Në rreth 14% të vendvotimeve janë evidentuar deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në Listën e Votuesve.

Votimi me asistencë vazhdon të jetë gjerësisht i shprehur edhe në këtë raund. Raportohet se votimi me asistencë është administruar në mbi 2/3-tat e të gjitha vendvotimeve. Për më tepër, në 5% të vendvotimeve, numri i rasteve me asistencë të rregullt shkon deri në 50 sosh.

Deri më tani, vëzhguesit e DnV-së nuk kanë raportuar për asnjë rast të fotografimit të votës. Po ashtu, brenda dhe jashtë qendrave të votimit, nuk janë hasur persona apo grupe të organizuara që u kanë bërë presion votuesve. /Telegrafi/

Exit mobile version