Site icon Telegrafi

DnV: Partitë politike po i përdorin resurset shtetërore në fushata

Partitë politike po i përdorin resurset publike në fushata elektorale të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 11 qershor.

Gjatë tubimeve janë parë duke u shfrytëzuar veturat zyrtare dhe shërbyesit publik.Kështu ka thënë Ismet Kryeziu në konferencën e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim” lidhur me fushatën parazgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se DnV-ja ka 60 vëzhgues në fushata elektorale dhe se gjatë këtyre dy ditëve kanë arritur të ndjekin 77 takime të tubimeve publike.“Sa i përket resurseve publike gjatë 13 aktiviteteve partitë politike kanë përdorur resurset publike/ shtetërore.

Dhe sa i përket prezencës së grave në tubime publike kanë vetëm 20%, përkundër që prezenca e burrave ka qenë shumë aktive, kurse mediet kanë përcjellë 32 aktivitete dhe incidente ka pasur në dy aktivitete në Graçanicë dhe në Novëbërdë”, tha ai.

David Ondračka nga Transparency International i Republikës së Çekisë ka thënë se nga fillimi i këtij viti kanë filluar të punojmë me KDI dhe për synim kanë që të rrisin fondet dhe të kontrollojnë ato se si shpenzohen.

“Standardi evropian është që partitë politike të raportojnë për atë se si shpenzojnë ato para, sepse publiku ka nevojë të dijë se si i shpenzojnë partitë politike paratë e tyre, dhe kjo ka të bëjë më luftën kundër korrupsion”, tha ai.Ai gjithashtu ka tha se kanë bërë një hulumtim me partitë politike, ku kanë kontaktuar 39 parti politike dhe vetëm 6 janë përgjigjur pozitivisht.“Këto parti që janë përgjigjur nuk janë partitë e mëdha aktuale në Kosovë”, tha ai.

Mjellma Hapçiu Alijaj, nga DnV-ja ka thënë se transparenca dhe llogaridhënia janë pjesë e demokracisë.“Ne shpresojmë që partitë do i dalin zot marrëveshjes që kanë nënshkruar ditë më parë për çështjen e llogaridhënies”, ka thënë ajo.

Exit mobile version