Në shumë qendra votimi nuk plotësohen kushtet për të garantuar votë të lirë, deklaron Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV).
Ai konsideron se këto votime janë të dështuara për shkak të pjesëmarrjes së ultë të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.
Kryeziu thotë se qytetarët serbë janë viktimë e Listës Serbe dhe Beogradit.
Qendrat janë hapur me kohë, megjithatë nuk ka pasur interesim të qytetarëve.
“Është një proces i qetë, normalisht ka problematikat e veta në aspektin teknik dhe organizativ të këtij procesi qe fillon nga dje kur KQZ me vonesë ka përcaktuar qendrat e votimit. Dhe në këto qendra të votimit nuk ka arritur të njoftojë qytetarët me kohë të mjaftueshme se ku janë këto qendra të votimit. Në shumicën e qendrave nuk ka as shenja paraprake që orientojnë qytetarët potencialisht se ku janë këto qendra të votimit. Mendoj se shenjat teknike si në këtë qendër, vendvotimet janë caktuar në katin e katërt, janë kushte jo të mjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara, ku personat me vështirësi me moshë të caktuar. Normalisht hapësirat në disa qendra, të cilat në ditën e fundit janë marrë vendim që të jenë qendra votimi nuk i plotësojnë mjaftueshëm kushtet për të garantuar votë të lirë dhe të drejtë marrë parasysh hapësirave të ngushta”, deklaroi ai.
Problem tjetër, shton Kryeziu, është edhe mënyra e vendosjes së kamerave në vendvotime.
“Mënyra se si është vendosur kutia e votimit ose kutia ku duhet të votohet, mendoj që është e ekspozuar përballë këtyre kamerave, por edhe komisionarëve në këto hapësira të ngushta. Dhe kjo mendojmë që është intimiduese dhe nuk garanton fshehtësinë e votës”, shtoi ai.
Sipas tij, Lista Serbe ka ndikuar te qytetarët që të ketë pjesëmarrje të ulte në procesin e votimit.
“Jemi duke folur për 100 qytetarë deri në informacionet e fundit që i kemi, në të gjitha komunat e Kosovës. S’e besoj që do të arrijë ndonjë përqindje kjo dalje në këtë formë ose në këtë format se si po shkon procesi…Qytetarët serbë në këtë rast janë viktimë e politikave, por edhe viktimë e Listës Serbe, të politikës së Beogradit, por edhe e Qeverisë së Kosovës, e cila jo mjaftueshëm ka bërë për të adresuar këto çështje”, tha ai.
Më tej, Kryeziu thekson se këto votime janë të dështuara sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve me të drejtë vote.
“Në aspektin ligjor, në masë të madhe plotësohen kriteret ligjore për organizim, por gjithsesi si pjesëmarrje janë të dështuara. Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje KQZ-së që të anulojë këtë proces. Duke marrë parasysh koston financiare, angazhimin e njerëzve dhe duke marrë parasysh indikatorët për bojkotimin e këtij procesi zgjedhor”, përfundon ai.
Në katër komunat në veri të Kosovës kanë të drejtë vote mbi 46 mijë qytetarë.