Telegrafi

Djokovic e cilëson si çmenduri vendimin për ndalimin e tenistëve rusë dhe bjellorusë nga Wimbledoni

Njëzet herë kampioni i Grand Slamit, tenisti serb Novak Gjokovic ka kritikuar vendimin për të ndaluar lojtarët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë në Wimbledon këtë vit, duke e quajtur vendimin si të “të çmendur”.

Organizatorët e Wimbledonit njoftuan të mërkurën se lojtarët rusë dhe bjellorusë nuk do të lejohen të konkurrojnë në edicionin e këtij viti pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ky vendim i organizatorëve ka bërë që të reagojë tenisti serb, Djokovic, i cili e ka cilësuar si të çmendur vendimin.

“Unë gjithmonë do ta dënoj luftën, nuk do ta mbështes kurrë luftën duke qenë vetë fëmijë i luftës”, ka thënë fillimisht Djokovic gazetarëve.

Djokovic ishte vetëm 11 vjeç kur pa sulmet ajrore në Beograd, që shënuan fillimin e asaj që do të ishte një fushatë 78-ditore nga NATO për t’u dhënë fund mizorive të kryera nga Jugosllavia e atëhershme, apo trupat e presidentit mizor, Slobodan Miloshevic kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.

“E di se sa trauma emocionale lë. Në Serbi, ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në 1999. Në Ballkan, ne kemi pasur shumë luftëra në historinë e fundit”.

“Megjithatë, unë nuk mund ta mbështes vendimin e Wimbledon, mendoj se është një çmenduri. Kur politika ndërhyn me sportin, rezultati nuk është i mirë”, përfundoi tenisti serb.

Djokovic gjithashtu u përjashtua më herët nga Australian Open shkaku i mos-vaksinimit kundër Covid-19

Wimbledon të mërkurën njoftoi dhe mbrojti vendimin e tyre për të ndaluar lojtarët rusë dhe bjellorusë nga turneu i këtij viti.

“Duke pasur parasysh profilin e Kampionatit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën, është përgjegjësia jonë të luajmë rolin tonë në përpjekjet e përhapura të qeverisë, industrisë, sportit dhe institucioneve krijuese për të kufizuar ndikimin global të Rusisë me mjetet më të forta të mundshme”.

Lexo po ashtu Wimbledon përjashton tenistët rusë dhe bjellorusë – emra të njohur do të mungojnë

“Në rrethanat e një agresioni ushtarak të tillë të pajustifikuar dhe të paprecedentë, do të ishte e papranueshme që regjimi rus të përfitonte nga përfshirja e lojtarëve rusë ose bjellorusë në kampionat”.

“Prandaj synimi ynë është, me keqardhje të thellë, të refuzojmë hyrjet nga lojtarët rusë dhe bjellorusë në Kampionatin 2022”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.

Kremlini deklaroi të mërkurën se ndalimi i lojtarëve rusë që të marrin pjesë në Wimbledon si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës është “i papranueshëm”. /Telegrafi/