Hetuesit policor të nacionalitetit serb, Zh.K i është djegur vetura sot në veri të Mitrovicës.
Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, kanë bërë të ditur për Telegrafin se dyshohet se vetura i është djegur qëllimshëm.
“Dyshohet që është djegie e qëllimshme, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale “Zjarrëvënia”, në bashkëpunim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore që të zbulohen kryerësit”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.
Rasti ndryshe ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit pranë ndërtesës të quajtur “Vampirusha”, në veri të Mitrovicës, derisa vetura ishte e parkuar.
I gjithë ky incident dyshohet se ka ndodhur për shkak të bashkëpunimit të pronarit të veturës me institucionet e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që pronave private të serbëve në katër komunat në veri, u vihet flaka. Kujtojmë se kohë më parë edhe nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq i ishte djegur lokali. /Telegrafi/