Site icon Telegrafi

Djegia e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë, Çeku: Barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre

Të martën në mbrëmje është përfshirë nga flakët shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, që konsiderohet si një prej monumenteve më të vjetra të Trashëgimisë Kulturorë dhe historike në këtë qytet.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku sot ka reaguar për ngjarjen, duke thënë se barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre

“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë.

Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”, shkruan ministri.

Lexo po ashtu Digjet shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë - pjesë e trashëgimisë kulturore

Çeku më tej thotë se shtëpia do të restaurohet dhe se pret kapjen e ndëshkimin e kriminelëve.

“Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën. Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.

Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura”, shkruan ministri i Kulturës. /Telegrafi/

Exit mobile version