Site icon Telegrafi

Djegia e pyjeve, pakujdesi e qytetarëve

Zejnullahu thotë se temperaturat e deritanishme dhe kushtet klimatike kanë qenë të favorshme sa i përket sektorit të pylltarisë, për arsye se këtë vit kemi pasur të reshura të mëdha dhe deri këto ditë vegjetacioni ka qenë që nuk ka krijuar kushte të volitshme për zjarre.

“Mirëpo po shihet kohëve të fundit po ngritën temperaturat dhe i kemi shenjat e para të zjarreve në pyje. Vetëm gjatë kësaj periudhe për 10 ditë kemi mbi 50 intervenime që kryesisht jemi duke e bërë përmes punëtorëve që janë angazhuar nga Ministria e Punës që janë gjithsej 90 punëtor dhe janë shpërndarë në tërë territorin e Kosovës. Krahasuar me vitin e kaluar sivjet janë më pak 50 hektarë dhe nuk janë me përmasa shumë shkatërruese, derisa në këtë kohë vitin a kaluar i kemi pasur mbi 1 mijë e 500 hektarë të përfshira nga zjarri”, ka thënë ai.

Ai thotë se zjarre ka pasur në komunat e Podujevës, Vushtrrisë, Kaçanikut dhe Suharekës.

“Vitin e kaluar zjarret kanë përfshirë thuajse të gjitha sipërfaqet pyjore në Kosovë, por me theks të veçantë kanë qenë tek pyjet halore konkretisht ato të Deçanit, Koretnikut, Dragashit ku zjarret kanë depërtuar nga Shqipëria dhe përmasat vitin e kaluar kanë qenë të mëdha”, tha ai.

Zejnullahu thotë se aktualisht më së tepërmi janë të rrezikuara pyjet halore, për shkak të konfiguracionit i terrenit, “por edhe janë pyje që zjarret munden me qenë me intensitete shumë të larta dhe ndërhyrjet janë shumë të vështira e edhe përmasat e atyre zjarreve janë mjaftë të rrezikshme për ata që ndërhyjnë. Por, fatmirësisht në këto pjesë halore kemi pasur këtë vit shi gjatë vikendit të kaluar dhe shpresojë që këtë vit do të jenë të kursyera nga zjarret pyjore”.

Ai thotë se pothuajse të gjitha zjarret në Kosovë vijnë si shkak i pakujdesisë, por kemi raste edhe që mund të jenë të qëllimshme.

“Shumicën e rasteve zjarret përhapen në pyje gjatë djegieve të hamulloreve dhe kështu që është një pakujdesi e përgjithshme, pastaj zjarrvënia e hamulloreve është gjë e dëmshme për shkaka të shkatërrimit të mikroorganizmave që mbajnë strukturën e shkriftë të tokës, por sido që të jetë ne deri më tash edhe sa i përket djegies së hamulloreve ka qenë numri shumë i vogël se vitin e kaluar. Pra, shumica e zjarreve në Kosovë vijnë si pasojë e kujdesisë e që më vonë nuk kanë mundësi ti kontrollojnë ato zjarre dhe largohen nga aty. Shpresojmë shumë që këtë vit të vetëdijesohen popullata dhe në temperatura të larta të mos bëjnë djegie të hamullore”. /Kosovapress/Telegrafi/
 

Exit mobile version