Telegrafi

Djegia e flamurit serb në Tiranë, Serbia dërgon notë proteste ndaj Shqipërisë

Serbia ka dërguar një notë proteste ndaj ambasadës së Shqipërisë në Beograd për djegien e flamurit serb në qendër të sheshit Skënderbej në 20 nëntor, mbrëmjen kur u luajt ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe në Air Albania në kuadër të kualifikueseve të Euro 2024.

Mediat serbe citojnë njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ku theksohet se incidente të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve dhe kërkohet vënia para përgjegjësisë e autorëve.

“Ne besojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”, thuhet në njoftimin e ministrisë, e cila pret që institucionet kompetente të Shqipërisë të bëjnë gjithçka për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët, të cilat duken qartë në videon e djegies së flamurit të publikuar nga mediat. /Telegrafi/