Telegrafi

Dje nuk iu lejua, por sot ministrja Gërvalla viziton Luginën e Preshevës

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ndonëse një ditë më parë nuk iu lejua të vizitojë Luginën e Preshevës, sot ajo do të jetë për vizitë atje.

Gërvalla në një postim në Facebook shkruan se me një ditë vonesë, por sot do të fillojë vizitën e tij të parë në Luginë të Preshevës.

“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës.

Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë”, tha ajo.

Ministrja bëri të ditur se së bashku me profesor Rexhep Gjergjin janë nisur drejt Bujanocit, ku do të takohen fillimisht me kryetarin e kësaj komune, Nagip Arifi. T

“Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.

Lexo po ashtu Gërvallës nuk i lejohet vizita në Luginën e Preshevës

Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë”, tha ajo.

Ndryshe, ministres Gërvalla një ditë më parë nuk i është lejuar të vizitojë Luginën e Preshevës.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Telegrafin. /Telegrafi/