Site icon Telegrafi

“Djathtas 1912”- Grupimi Alibeaj prezanton partinë më të re

Ish-përfaqësues të njohur të Partisë Demokratike, pjesë e grupimit të Enkelejd Alibeajt, njoftuan këtë të shtunë krijimin e forcës më të re politike në Shqipëri, e cila do të quhet “Djathtas 1912”.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj, një prej themeluesve, deklaroi se në qendër të kësaj force politike është shteti i së drejtës, një qeveri më e kufizuar në madhësinë dhe fuqinë e saj, si dhe tregu i lirë.

“Projekti ynë është një projekt i ri politik. Shteti i së drejtës është themeli ynë. Besojmë se një qeveri është më efikase dhe më pak e korruptuar kur është e kufizuar në madhësi dhe fuqi”, tha Alibeaj, transmeton euronews.al

Alibeaj shtoi se partia më e re aspiron për drejtësi për krimet e komunizmit, si dhe vendosjen e interesit kombëtar para së gjithash, duke mbështetur proceset integruese të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon.

“Ne aspirojmë për drejtësi për krimet e komunizmit dhe mbështetemi te vlerat më të mira të elitës shqiptare që u shkatërrua nga diktatura. Ne vendosim interesin kombëtar përpara gjithçkaje: sovranitetit, kulturës dhe tërësisë territoriale, duke mbështetur fort të gjithë bashkëkombasit tanë shqiptarë dhe duke u angazhuar për përparimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe të gjithë faktorin shqiptar në rajon”

Një pjesë e themeluesve të partisë së re “Djathtas 1912” janë: Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Roland Bejko, Flutura Açka, Rezart Kthupi, Seladin Jakupllari, Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj, Eriselda Zotaj.

Exit mobile version