Gjykata e lartë e Bashkimit Evropian ka vendosur kundër Danimarkës dhe thotë se vendi e ka etiketuar gabim djathin e bardhë si “feta”.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, vendimi është një fitore për Greqinë, e cila ka luftuar për të mbrojtur të drejtën e saj të pronësisë intelektuale për të përdorur termin për produktet e qumështit.
Danimarka ka lejuar prodhuesit vendas që të vazhdojnë eksportimin e djathit në vendet jo anëtare të BE-së nën emërtimin e mbrojtur të “feta”, deklaroi të enjten Gjykata e Drejtësisë e BE-së.
Vendimi vjen pasi një këshilltar i lartë gjyqësor i BE-së tha në mars se Danimarka kishte shkelur detyrimet e saj sipas ligjit të BE-së.
Autoritetet daneze duhet të kishin “parandaluar dhe ndaluar një përdorim të tillë në territorin e saj”, tha gjykata e Luksemburgut në një deklaratë.
Greqia pretendon se feta, e bërë nga qumështi i deleve dhe dhisë, ka qenë pjesë e trashëgimisë kulturore të saj për 6,000 vjet.
Ai u përcaktua një produkt tradicional grek nga ekzekutivi i BE-së në 2002, duke i dhënë mbrojtje ligjore në bllok.
Në anën tjetër, Danimarka kishte argumentuar se ndalimi i prodhuesve të saj nga eksporti i djathit të bardhë mund të kufizojë tregtinë e jashtme.
Dhe në vitin 2005, gjykata e BE-së vendosi se vetëm prodhuesit me bazë në Greqi rezervuan të drejtën për ta quajtur djathin e saj të qumështit të deleve “feta”, duke hedhur poshtë një apel gjermano-danez.
Por Danimarka që atëherë i ka lejuar prodhuesit e saj të djathit të vazhdojnë të përdorin emrin kur eksportojnë produktin jashtë BE-së.
Nëse vendi refuzon të respektojë vendimin e fundit, Komisioni Evropian mund të apelojë për gjoba. /Telegrafi/