Site icon Telegrafi

Djaloshi që shënoi 17 gola këtë vit i thotë ‘po’ Kosovës

Njëri prej sulmuesve më në formë, madje shqiptari me më së shumti gola në Evropë këtë sezon, Vedat Muriqi, është i gatshëm të kthehet te Përfaqësuesja e Kosovës.

Dikur lojtar i U-21 të Kosovës, më pas i Shqipërisë U-21, derisa së fundi i kontaktuar nga Federata Turke për t’u bërë pjesë e kësaj Përfaqësueseje, sulmuesi i Giresunsporit, shprehet i gatshëm të rikthehet në vendlindjen e tij.

“Kam pasur mundësi ta shoh LIVE pranimin e Kosovës nga rrjetet sociale në internet. Patjetër se është diçka shumë, shumë e pritur nga ne kosovarët. Unë jam i bindur se me një organizim të mirë dhe me durim, brenda 4-5 viteve do të arrijmë shumë në futboll. Patjetër se jam i gatshëm për shtetin tim. Është diçka e veçantë të luash për Kombëtaren e vendit”, deklaroi Vedat Muriqi ekskluzivisht për “GazetaOlle.com”.

22-vjeçari nuk është ftuar ende për miqësoren Kosovë – Ishujt Faroe, takim që luhet më 3 qershor në Frankfurt, mirëpo pret me kënaqësi një ftesë nga Albert Bunjaku.
Ai sqaron edhe një herë punën e Shqipërisë dhe Turqisë.

“Shqipëria nuk më ka ftuar më, që prej turneut që e kemi pasur në Dubai me U-21. Ndërsa, sa i përket Turqisë, është puna e dokumentacionit, ngaqë unë nënshtetësinë e kam marrë brenda katër muajve dhe jo brenda pesë viteve që është normalja, për atë është problem, por që mund të zgjidhet”, shtoi ish-sulmuesi i Lirisë së Prizrenit dhe Teutës së Durrësit.

Muriqi e mbylli kampionatin turk me 17 gola, derisa për një pikë nuk u kualifikua me Giresunsporin në Play Off për inkuadrim në Superligën turke.

Gjatë dimrit ai u kërkua nga Galatasaray, Fenerbahce e Konyaspor, por vendosi të qëndrojë edhe për gjashtë muaj te Giresunspori.

Exit mobile version