Site icon Telegrafi

Djaloshi nga Malisheva, i lindur pa duar, ëndërron të bëhet piktor (Video)

Arijon Krasniqi, 18-vjeçar nga Malisheva, ka lindur pa duar. Duart i ka zëvendësuar me këmbët e tij, duke i përdorur për çdo gjë, madje edhe për të pikturuar.

“Ëndrra ime që të bëhem piktor, artist. Edhe pse e kam thjesht si hobi, por ëndërr e kam të bëhem  piktor”, thotë Arijoni.

Arijoni shkruan, ushqehet dhe pikturon, me këmbën e djathtë. Këtë vit ka mbaruar shkollën e mesme dhe dëshiron ta vazhdojë fakultetin. Familja e tij nuk mund ta financojë shkollimin, sepse atij i duhet një përcjellës.

“Gjithmonë prej klasës së parë e kam pas një përcjellës. E kam pasur motrën time afër gjithmonë, por duke falënderuar shoqërinë nuk e kanë lënë atë (motrën) që të më ndihmojë mua, duke e bërë ata vet. Por, pavarësisht ndihmesës që ma kanë dhënë ata, kam pasur vështirësitë e mia. Gjithmonë është dashur të kem bankë speciale”, ka thënë ai.

Ndërsa, Afrim Maliqi nga Organizata “HANDIKOS” thotë se Kosova  po bën pak për këtë kategori të qytetarëve.

“Infrastruktura fizike e cila është e paqasshme, transporti është i paqasshëm, shumë pak fëmijë janë të integruar në sistemin arsimor, mungon punësimi i personave me aftësi të kufizuar.

Babai i Arijonit, Nuhi Krasniqi u shpreh se ai ka nevojë për ndihmën e shoqërisë.

“Arijonit duhet të kujdesemi për t’i gjetur jetë. Jetë,  shkollim. Ai don përkrahje morale dhe materiale”, thotë i ati.

Aktiviteti i vetëm i Arijonit vazhdon të jetë piktura. Disa nga pikturat e punuara me këmbë, ai i ka shitur dhe në Zvicër. /rel/ Telegrafi/

Exit mobile version