Telegrafi

Djaloshi i artë nga Kosova, lojtari i vitit te gjiganti zviceran

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka fituar çmimin si lojtari më i mirë i stinorit në Youg Boys Bern, me të cilën skuadër do të luaj në Ligën e Kampionëve stinorin e ri.

Florenti u zgjedh bindshëm më i miri nga votat e marra, duke u votuar 1916 herë apo me një përqindje të lartë prej 49.2%, ndërsa la mbrapa sulmuesin francez Guillerme Hoarau me 20.0% dhe mesfushorin Renato Steffen me 9.9%.

Hadergjonaj në janarin e vitit të kaluar u inkuadrua në ekipin e parë, dhe sot pas një viti e gjysmë vlera e tij ka arritur në dy milionë euro.

Ai është vetëm 20 vjeçar dhe është njëri nga talentet më të mëdhenj shqiptar që luan për Përfaqësueses U21 të Zvicrës, por nuk e harron vendlindjen e tij Kosovën duke treguar me krenari për të.

“Unë jetoj në Langnau së bashku me prindërit e mijë. Kjo është shtëpia ime dhe nuk kam ndonjë arsyeje se përse të largohem nga këtu”, thotë fillimisht Hadergjonaj për ‘Bernzeitung’.

“Më pëlqen Mesut Ozil. Ai nuk është vetëm një lojtar i mirë por edhe një njeri i urtë jashtë fushës që nuk bënë skandale. E shoh vetën kështu pasi jam tip i qetë. Modeli im është padyshim Philipp Lahm edhe pse ai tani luan më shumë në mesfushë”.

“Si fëmijë kur kam qenë gjithmonë më ka impresionuar sulmuesi brazilian i Bayernit, Giovani Elber. Bayern ende mbetet skuadra numër një për mua, edhe pse e pranoj që më pëlqen edhe Real Madrid”, vazhdon tutje Florenti për të ardhur tek pyetjet rreth vendlindjes së tij, transmeton Telegrafi.

“Kosova? Aty është shtëpia e familjes time, atje shkoj gjithmonë së paku një herë në vit për t’i kaluar pushimet. Shumë nga të afërmit e mijë jetojnë në Zvicër, por kam familjarë edhe në Kosovë. Jam shumë i lidhur me Kosovën, shtet i cili ka lojtarë edhe në Përfaqësuesen e Zvicrës si Xherdan Shaqiri apo Granit Xhaka”.

“Përfaqësuesja? Unë jam shumë i kënaqur që Kosova tani ka formuar një Përfaqësuese dhe po luan ndeshje miqësore. Shpresoj që ata të pranohen sa më shpejtë me të drejta të plota, por unë njëherë jam i koncentruar tek Zvicra U21 pastaj të shohim”, tha Hadergjonaj.

Kujtojmë që Florenti këtë sezon ka luajtur në 26 ndeshje në elitën e futbollit zviceran duke munguar në 10 prej tyre për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë fushave gjatë, raporton Telegrafi.

Ai ka luajtur edhe tetë takime në Ligën e Evropës ku u përballë me kundërshtarë të mëdhenj si Napoli apo Everton.

E ardhmja është për të, Kosova tani e ka një Philipp Lahm të saj dhe ai është djaloshi i artë, Florent Hadergjonaj. /Telegrafi/