Site icon Telegrafi

Djaloshi britanik që u gjet pas gjashtë vjetëve në Francë: Kam gënjyer për të mbrojtur nënën time

Adoleshenti në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Batty, ka zbuluar se ka gënjyer për detajet e arratisjes për të mbrojtur nënën dhe gjyshin nga policia.

Në një intervistë për The Sun, ai tha se e shpiku historinë e udhëtimit katër-ditor me shpresën se do të pengonte policinë t’i gjurmonte. Kujtojmë se adoleshenti u gjet në Francë gjashtë vite pasi u shpall i zhdukur. Alex ishte 11 vjeç kur nuk u kthye nga pushimet në Spanjë në tetor të vitit 2017.

Këtë vit, hetuesit francezë gjetën Alex, tani 17 vjeç, pranë Toulouse pasi ai u arratis nga një “komunitet shpirtëror”. Hetuesit besojnë se Alex u arratis nga një komunitet rural që jetonte në ultësirat e Pirenejve, raportoi gazeta Standard Evening, citon skynews.

Në vitin 2017, Alex ishte në Spanjë për një pushim njëjavor me nënën e tij, Melanie Batty, atëherë 37 vjeç dhe gjyshin David Batty, atëherë 58 vjeç. Ai u nis me ta në një udhëtim të paracaktuar në aeroportin e Malagës, nga ku do të mbërrinin në qytetin bregdetar të Marbella.

Pasi treshja nuk u kthye në Angli siç ishte planifikuar, policia nisi një hetim. Gjyshja e Alex, Susan Caruana, e cila është gjithashtu kujdestarja e tij zyrtare, tha në vitin 2018 se ajo besonte se vajza e saj dhe ish-bashkëshorti e kishin dërguar jashtë vendit për të jetuar një “mënyrë alternative jetese”. “Ata nuk donin që (Alex) të shkonte në shkollë, ata nuk besojnë në shkollën e rregullt”, tha ajo në atëkohë. Ai jetoi me ta në shkretëtirë për vite me radhë.

Edhe pse fillimisht ai pretendoi se kishte humbur dhe kishte ecur për disa ditë, Alex tani thotë se kjo ishte një gënjeshtër. “Kam gënjyer për të mbrojtur nënën dhe gjyshin tim, por e kuptoj se ata ndoshta do të kapen”, tha ai për The Sun.

“Unë nuk isha i humbur. E dija saktësisht se ku po shkoja”, shtoi ai, duke e përshkruar udhëtimin si një ecje dyditore, fillimisht në qytetin e Quillan, ku ai u shtir si i humbur gjersa u nis për në qytetin e Toulouse. Alex u mor nga një shofer transporti, i cili e vuri re teksa ecte në këmbë në Pirenejtë francezë, afër Toulouse.

Shoferi, studenti francez i farmacisë, Fabien Accidini, deklaroi se Alexi i tha atij se ai eci në Pirenejtë për katër ditë, duke fjetur ditën dhe duke ecur gjatë natës për të mos u parë.

Gjithçka që kishte ishte 100 euro para në dorë, pa celular dhe u nis për në Toulouse, duke u ushqyer me gjithçka që mund të gjente në fusha dhe kopshte, tha Accidini. Ai e dërgoi adoleshentin në Revel, jo shumë larg nga Carcassonne dhe e la në stacionin e policisë lokale. /Telegrafi/

Exit mobile version