Një video që ka përlotur shumë njerëz, shfaq një polic kufitar amerikan dhe një djalë të vogël të frikësuar, i cili nuk mund të ndalte lotët dhe vazhdimisht kërkonte ndihmë, pasi kishte mbetur i vetmuar derisa me një grup emigrantësh kishin tentuar të kalojnë lumin Rio Grande në Teksas, që gjendet shumë pranë vijës kufitare SHBA-Meksikë.
Djaloshin e kishin braktisur turma, e duke mos ditur çfarë të bëjë e nga t’ia mbajë, ndali një veturë të policisë kufitare amerikane, brenda të cilës ishte një polic jashtë detyre, transmeton Telegrafi.
“Isha me një grup. Ata më braktisën, dhe nuk e di se ku të shkoj. Ata mund të më plaçkitin, kidnapojnë – jam i frikësuar”, dëgjohet në gjuhën spanjolle duke folur djaloshi i pushtuar nga frika.
Por zyrtari policor e mori djalin që ishte i moshës 10 deri në 12-vjeç të cilin e dërgoi në stacionin policor, pasi një natë e kishte kaluar në shkretëtirë me kafshë të egra.
Dogana amerikane dhe policia nuk e kanë identifikuar minorenin e as nëse po udhëtonte me prindërit e tij. Pamjet e këtij momenti janë bërë virale dhe shumëkënd e kanë bërë të qajë. /Telegrafi/