Telegrafi

Djali vret vajzën, qëllon mbi veten e përfundon në spital

Një vrasje me armë zjarri pistoletë është shënuar në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, rreth orës 8:10 të mëngjesit të kësaj të premte.

Xhafer Mata, një 31-vjeçar nga Kalimashi i Kukësit, dyshohet të ketë qëlluar për vdekje 19-vjeçaren Xhuljeta Çuni, nga Vinjolli i Laçit, e më pas ka shtënë edhe ndaj vetes. Vajza ka ndërruar jetë në vend, ndërsa agresori është transportuar për në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën.

Uniformat blu mbërritën menjëherë në vendngjarje, e po hetojnë për rastin, motivet e të cilit mbeten ende mister.

Ngjarja rikthen në kujtesë atë të ndodhur disa muaj më parë në një tjetër zonë të kryeqytetit, pranë Fakultetit të Mjekësisë, ku një djalë qëlloi për vdekje një studente për shkak se refuzonte të ishte e dashura e tij. /Telegrafi/