Djali i trajnerit të Chapecoenses ka treguar arsyen pse nuk ishte në aeroplanin që u rrëzua në Kolumbi ku humbën jetën 75 njerëz, mes të cilëve edhe babai i tij, Caio Junior.
Matheus Saroli, babai i të cilit e drejtonte ekipin brazilian, nuk u lejua që të hipte në aeroplan, pasi e kishte harruar pasaportën.
“Faleminderit të gjithëve që më keni telefonuar dhe keni dërguar mesazhe. Sot isha në Sao Paulo dhe nuk hipa, sepse kisha harruar pasaportën”, ka shkruar ai në Facebook.
Saroli, i cili ka luajtur futboll në kolegj për Jacksonville University gjatë viteve 2012-2015, ka kërkuar që të respektohet privatësia e familjes.
“Jemi të fortë. Do ta tejkalojmë këtë”, ka thënë djali i trajnerit tashmë të ndjerë.
Aeroplani ‘British Aerospace 146’ që bartte 81 pasagjerë dhe ekipin e Chapecoenses u rrëzua në Cerro El Gordo në afërsi të Medellin. /Telegrafi/