Site icon Telegrafi

Djali takon për herë të parë nënën e tij biologjike pas 33 vitesh

Blerimi i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar nënën që e kishte rritur dhe për t’i premtuar që do t’i qëndronte pranë gjithmonë. Por ai i kishte kërkuar programit edhe që t’i gjenin nënën e tij biologjike.

Programi “Dua të të bëj të lumtur” e kishte gjetur nënën biologjike të Blerimit, e cila kishte pranuar ftesën për të ardhur në studio. Gjatë bisedës që u zhvillua midis Arbana Osmanit dhe Terezës u kuptua që Tereza kur kishte qenë e re kishte lindur një fëmijë. Por ajo nuk e dinte nëse fëmija kishte jetuar.

Arbana zbuloi që në anën tjetër të ekranit ishte pikërisht djali i saj, Blerimi, i cili e kishte kërkuar prej vitesh. Në momentet e para Tereza e kishte shumë të vështirë këtë situatë dhe nuk pranoi që të fliste me të, madje u largua pa e parë. Dëshira për të takuar mamanë me djalin pas 33 vitesh bëri që Arbana të ndiqte Terezën në prapaskenë duke këmbëngulur që ajo të takonte djalin e saj.

Në praninë e kamerave dhe pse pa audio, pas bashkëbisedimit që Tereza bëri me Arbanën u arrit që Blerimi të shkonte në prapaskenë dhe të takonte për herë të parë nënën e tij biologjike.

Blerimi takoi Terezën dhe i tha që: “Më ke falur jetën dhe të falenderoj për këtë gjë. Çdo gjë që ke kaluar në jetë e paçsh hallall. Unë kam 33 vite që të kërkoj, por për gjithçka ta kam bërë hallall”.

Më pas Tereza takoi familjen e Blerimit, bashkëshorten dhe vajzat e tij.

Tereza e emocionuar dhe e gëzuar në të njëjtën kohë u shpreh se: “Unë nuk kam ditur asgjë, por ti qenke me të vërtetë një fëmijë i mrekullueshëm!”. /tch/

Exit mobile version