Nicolo Pirlo – djali i trajnerit të Juventusit, Andrea Pirlo, i ka publikuar mesazhet kërcënuese me vdekje për të dhe babanë e tij, ndërsa ka thënë se i merr në baza ditore.
Legjenda italiane e futbollit ka dështuar në sezonin e tij të parë në Allianz Stadium duke i marrë Bianconerët nga kampionë të Serie A (nëntë herë radhazi), kurse nën drejtimin e tij, Zonja e Vjetër rrezikon edhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Djali i Pirlos tash ka treguar se pranon mesazhe të pakëndshme nga persona që deklarohen si tifozë të Juves.
“Ka një kufi për gjithçka dhe ky kufi është tejkaluar tash e një kohë. Të gjithë e kanë fuqinë të thonë çfarëdo që duan, por në këtë rast faji im është vetëm pse jam djali i një trajneri, që siç duket, dikujt nuk i pëlqen”.
“Vendoseni veten në këpucët e mia, si do të ndiheshit?”, ka shkruar 17-vjeçari në Instagram, ndërsa transmeton Sky Sport Italia.
Ai i ka bashkëngjitur një sërë të mesazheve kërcënuese, në mesin e të cilave nuk mungojnë edhe të tilla, si: “Duhet të vdesësh bashkë me babanë tënd”. /Telegrafi/