Djali i Phil Neville, Harvey, i ka ndjekur hapat e babait duke nënshkruar për të luajtur te Manchester Unitedi.
Neville Jr. i ishte bashkuar Akademisë së Valencias në vitin 2015, kur babai i tij u angazhua si asistent i vëllait Gary Neville.
Futbollisti i ri e ka publikuar një fotografi në Instagram duke nënshkruar kontratë me Djajtë e Kuq në ditëlindjen e tij të 16-të.
“Jam shumë krenar dhe i gëzuar që kam nënshkruar me klubin që e kam mbështetur gjatë gjithë jetës, Manchester United”, ka shkruar Harvey në rrjetet sociale.
Edhe ish-lojtari i Unitedit është shprehur krenar që djali i tij ka nënshkruar me Djajtë e Kuq.
“Krenar me ty Harvey Neville, ndiq ëndrrat tua”, ka shkruar trajneri i ekipit të femrave të Anglisë.
“Urime (Harvey Neville) je stërvitur shumë për të arritur këtu ku je! Vazhdo kështu”, ka shkruar edhe xhaxhai i tij, Gary Neville. /Telegrafi/