“Djalë ma të mirë nuk ka Kosova”, kishte deklaruar me bindje të plotë një familjar për të riun LM, ekstremistin i cili kishte postuar në profilin e tij në Facebook disa fotografi ku ai shihej duke i prerë kokën një të riu tjetër, po ashtu mysliman. Shumëkush vrapoi të deklarohet në rrjetet sociale e sidomos në media se këtë njeri e konsiderojnë të çmendur, kriminel, njeri të ligë e deri edhe monstrum! Madje, kështu vepruan edhe shumë nga ata që me debatet e tyre në emër të islamit e frymëzuan një formë të tillë lufte për fenë dhe shoqërinë.
Në anën tjetër, i bindur se ka të drejtë, “djali më i mirë prej krejtve” prerjen e kokës e sheh si veprim krejtësisht të arsyetueshëm. Tradhtia ndaj bindjeve të tij ashtu shpaguhet! Madje kërcënon se edhe në të ardhmen, gjithë tradhtarëve të islamit do t’u pres kokat. Pa gjyq! Tradhtari s’ka të drejtë as të mbrohet!
Kështu mediat vendore dhe ndërkombëtare e fituan armikun publik nr.1!
Të gjitha krimet e tjera relativizohen. Punë e madhe se Qeveria ka vjedhur miliona! Punë e madhe… për gjithçka tjetër!
Por, a është ky njeri vërtetë djali më i mirë apo më i keq prej krejtve? Apo është veçse edhe një idealist tjetër që ka përqafuar verbërisht një ide e cila se ka për gjë që në emër të Zotit të kryejë veprime të cilat bien ndesh me normat civilizuese që civilizimi ynë i njeh si të pranueshme?
Kush është kush në këtë luftë? Myslimanët nga e gjithë bota janë mbledhur në Siri dhe po luftojnë e po vriten në mes vete, për islam. Tashmë është bërë e qartë se të gjithë ne të cilët me rastësi, pra me të lindur, apo me vetëpërcaktim jemi të besimit mysliman, nëse mendojmë ndryshe për këtë çështje… jemi në rrezik! A ka liri mendimi dhe shprehjeje ?
Një Xhordano Bruno mysliman nuk do të kallej në turrë të druve, tani do t’i pritej koka, e një Galileo do të mohonte shkencën e vet, do të konvertohej dhe paguante taksë edhe pse në fund do të klithte: “Megjithatë sillet”!
Alternativa për qytetarin vështirë se mund të quhet e tillë! Ku vullneti i qytetarit e ku vullneti i Zotitt?!
Veçse në emër të qytetarit sot flasin deputetët e në emër të Zotit flasin dijetarët dhe imamët!
Duhet zgjedhur mes fjalës të cilës nuk i besohet (deputetit) dhe fjalës të cilën nuk ke qare pa e besua! A është zgjedhje?
Kjo tregon se është mbërritur në një udhëkryq civilizues, ku koncepte të ndryshme, të vërteta të ndryshme rreth fesë dhe rolit të saj në shoqëri, sidomos islamit, po luftojnë për xhemat! Për pasues! Islami tradicional për të cilin janë kap me panik ideologët e hutuar, nuk ofron zgjidhje!
Islami nuk është më çka ka qenë! Nuk është më tradicional, por as modern nuk mund të quhet!
Në fakt, islamistët e rinj e luftojnë atë çka ndër ne nënkuptohet me modernizëm. A ka në të vërtetë luftë në mes islamit tradicional dhe atij politik?
Vështirë të thuhet se islami tradicional paraqet ndonjë alternativë për të qenë! Sepse islami tradicional te ne ishte po aq politik sa edhe ky i “riu”. Hoxhallarët e moçëm dhe bashkësitë fetare, ishin në një bashkëpunim të afërt me shtetin dhe ideologjinë zyrtare dhe ndiqnin marrëdhëniet e drejtuara nga ideja e jugosllavizmit dhe socializmit, ndërsa jashtë ndiqnin politikën e mos inkuadrimit. Pra, ishin krejtësisht të instrumentalizuar! Të tri këto drejtime, tashmë janë rrugë qorre! As jugosllavizmi, as socializmi e as mos inkuadrimi janë rrugë të cilat nuk qojnë askund!
Ajo që realisht po zhvillohet ndër shqiptarët, por edhe boshnjakët në Ballkan, kryesisht është lufta në mes dy koncepteve kryesore rreth rolit të fesë (islamit) në shoqëri! Në njërën anë është koncepti evropian ku feja është çështje private e qytetarit, e ku specifikohet edhe ndarja e plotë e sajë prej shtetit. Ky sistem funksionon në bazë të vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë të lirë!
Në anën tjetër të barrikadave është koncepti i islamit politik, i cili sidomos ndër shqiptarët mohon kombin dhe simbolet kombëtare, rrahë me shuplakë Skënderbeun dhe mohon humanizmin e Nënës Terezë vetëm se ajo nuk ishte myslimane. Propagandojnë një islam të angazhuar globalisht, angazhohen që të zëvendësojnë vullnetin e qytetarit me vullnetin e Zotit, pra demokracia të zëvendësohet me sheriat dhe për të ndryshuar orientimin civilizues të shqiptarëve drejt kampit islamik!
Ajo që i karakterizon islamistët politikë dhe nuk tingëllon aspak shpresëdhënëse është shkalla e ultë e tolerancës ndaj mendimit ndryshe! Sidomos për çfarëdo sjellje apo mendim i shprehur e që nuk përputhet me librin e shenjët. Kërcënimet, frikësimet, ofendimet dhe nofka e islamofobit janë të zakonshme ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
E dimë nga e kaluara se e vërteta për të cilën nuk lejohet debat, vret! Direkt apo indirekt!
Dikur komunistët kishin shpallur të vërtetën e tyre. Ishe me ‘ta ose kundër tyre! Në emër të vërtetës mund të bëhej çdo gjë! Në emër të vërtetës u vranë dhjetëra milionë njerëz.
Edhe fashizmi kishte shpallur të vërtetën e tij, përjashtuese, e cila nuk lejonte debat dhe për pasojë dhjetëra milionë njerëz kishin gjetur vdekjen. Askush nuk jepte llogari për këtë.
Apo të kthehemi më larg në histori, kur kisha e krishterë thoshte se Dielli sillet rreth Tokës. Kjo dhe të vërteta të tjera. Ata që shprehën dyshime, u shndërruan në “lëndë djegëse”! Kush nuk ka dëgjuar për inkuizicionin, Brunon, Galileon?!
A nuk ju duket se fenomeni i quajtur “e vërteta ime” është vrasësi më masiv në historinë njerëzore?
Fakti se pas kaq luftërash në Ballkan ende nuk është arritur paqe e qëndrueshme na mëson se nuk jemi marrë aspak me idetë të cilat frymëzojnë individët dhe grupet të bëjnë krime, të shfarosin popuj, në emër të “vërtetës së tyre”!
Edhe sot, çdo debat merr karakter ndërnacional, sikurse në lindje që merr karakter ndërfetar!
Duke ndjekur ide të mëdha, me qëllimin më të mirë, shpesh u bënë krime të mëdha!
Civilizimi perëndimor është këtu ku është sot, sepse e tejkaloi inkuizicionin dhe idetë autoritare e destruktive si fashizmi, komunizmi, rasizmi, nacionalizmi përjashtues të cilat dolën nga gjiri i vet!
Kjo formulë që jep shpresë edhe në këtë situatë konfuze, është ajo e demokracisë kundër autoritarizmit!