Telegrafi

Djali i Ismail Bërbatovcit kërkon të ndriçohet rasti i zhdukjes së babait të tij

Familja e veprimtarit të LDK-së dhe gazetarit, Ismail Bërbatovci, i zhdukur më 23 korrik të vitit 1998 në Blinajë në bazën e UÇK-së të Zonës së Nerodimes, vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të tij.

Djali i Ismailit, Rilindi përmes një postimi në Facebook, sërish ka aktualizuar zhdukjen e babit të tij.

“Ne si familjar të gazetarit Ismail Bërbatovci, ju bëjmë me dije se zhdukja e tij më 23 korrik 1998 në Blinajë (Zonë e kontrolluar nga UÇK-ja), për ne paraqet një rast të dyshimtë dhe krejtësisht politik”, ka shkruar Rilind Bërbatovci.

Lexojeni të plotë postimin e Rilind Bërbatovcit:

“Të nderuar miq, bashkëveprimtarë dhe bashkvendasë të Ismailit

Duke e ditur që gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së, persona të dyshimtë në komandot e saj, duke u thirrur në emër të luftës së UÇK-së bënë çmos për arritjen e interesave të tyre klanore.

Duke e ditur që këta persona kishin gjithëmonë për qëllim shkatrrimin dhe eleminimin e njerëzve dhe vet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentit Rugova nga skena politike.

Duke e ditur që 16 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, drejtësia kosovare ka dështuar t’i kundërvihet këtyre peronave, për shkak se të njejtit kanë zënë pozita të fuqishmë në institucionet e shtetit.
Duke e parë dhe duke shpresuar që Gjykata Speciale do të merret me zbardhjen e vrasjeve politike të para, gjatë dhe pas luftës.

Dhe duke e parë që sa më shumë afrohet kjo gjykatë, tregimet për vdekjen e shumë kundërshtarëve politik të këtyre klaneve marrin epiloge të ndryshme, duke ju dhënë edhe epitete të rreme.

Ne si familjar të gazetarit Ismail Bërbatovci, ju bëjmë me dije se zhdukja e tij më 23 korrik 1998 në Blinajë (Zonë e kontrolluar nga UÇK-ja), për ne paraqet një rast të dyshimtë dhe krejtësisht politik.

Prandaj përmes kësaj faqeje në Facebook, dëshirojmë të ju informojmë drejtë dhe saktë për jetën, veprën dhe mbi të gjitha për epitetin të cilin e meriton ish-kryetari i komisionit për informim në degën e LDK-së në Lipjan, ish-kryetari i nëndegës së LDK-së në Dobrajë të Madhe, gazetari dhe njëkohësisht arsimtari i Gjuhës Shqipe, Ismail Bërbatovci.

Gjithashtu nga të gjithë personat të cilët me apo pa qëllim kanë qenë protagonist në Blinajë, kërkojmë që 18 vite pas saj t’i thirrin mendjes dhe arsyes duke na treguar të vërtetën.
Me Respekt, Rilind I. Bërbatovci” (sic), ka shkruar Bërbatovci. /Telegrafi/