Telegrafi

Djali im adoleshent dhe influencuesja në klasën e tij

Ilustrim

Nga: Michelle Leder / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

Pyeteni këdo për vitet e shkollës së mesme dhe, nëse ata nuk kanë qenë fëmijë të famshëm, ka të ngjarë t’ju drejtohen me mërrola. Ose më keq. Më shumë se disa plagët ende i mbajnë të freskëta, përfshirë një grua 80-vjeçare me të cilën – për përvojën e saj në shkollën e mesme – fola kohët e fundit. Ndonëse kishin kaluar dekadat dhe kishte karrierë të suksesshme akademike, me detaje alarmante mund të kujtonte se si një grup i vajzave të pamëshirshme e kishin nënçmuar në shkollën private të vajzave të cilën e kishte ndjekur në Luivil të Kentakit në vitet 1950.

Një pjesë e asaj që shkollën e mesme e bën jashtëzakonisht sfiduese është se fëmijët ndryshojnë për çdo ditë dhe në disa raste për çdo orë. Është kohë e frikshme kur trupat dhe personalitetet përpiqen ta kuptojnë jetën, ndërsa fëmijët provojnë versionet e ndryshme të vetes ose se kush mendojnë se duan të jenë.

E di këtë nga dora e parë si nënë e një djali 14-vjeçar i cili sapo e ka përfunduar klasën e tetë. Vitin e kaluar, djali im i vogël u bë më i gjatë se unë dhe nisi të përballej me të gjitha llojet e sfidave të reja me të cilat nuk jam përballur kurrë gjatë viteve të shkollës së mesme – në Bruklin të Nju-Jorkut ku jam rritur.

Në mënyrë të turbullt më kujtohet një vajzë ngucakeqe, flokët e së cilës ishin gjithmonë perfekte, ndërsa xhinset Guess dukej se vinin drejtpërdrejt nga pastrimi kimik me hekurosje të mirë. Ajo dhe rrethi i saj i miqve u ulën gjithmonë në të njëjtën tavolinë dreke dhe mbaheshin me njëri-tjetrin në vend që të përziheshin me ne të tjerët – se asnjëri prej nesh nuk ishte sa duhet atraktiv.

Për djalin tim ishte ndryshe. Në vend që të përballej me një vajzë apo djalë të keq, u kap me një ndikuese [influencuese] të mediave sociale në klasë, e cila kishte ndikim mbi të gjithë shkollën. Me më shumë se 200 mijë ndjekës dhe me një mori të fotografive magjepsëse që shfaqnin veshjet e shtrenjta të stilistëve, udhëtimet me limuzinë dhe shfaqjet e modës, në mënyrë pothuajse të vazhdueshme ta përkujtonte se jeta e saj ishte shumë më interesante se e kujtdo tjetër në klasë.

Shumica e vajzave donin të ishin ajo, ose të paktën të ftoheshin në një nga ngjarjet të cilat ajo i dokumentoi për grupin në rritje të ndjekësve. Kjo e krijoi një dinamikë jashtëzakonisht sfiduese sociale për ata nxënës që nuk shiheshin si mjaft atraktivë për të marrë vëmendjen e saj.

Për djalin tim ishte edhe më keq, meqë ajo vazhdimisht dukej e neveritur nga pothuajse gjithçka që ai bënte, edhe kur përpiqej të ishte i sjellshëm. Një herë u përpoq t’ia jepte kufjet një vajze e cila i kishte harruar të vetat, në mënyrë që ajo ta përfundonte detyrën. Por, influencuesja bëri bujë kaq të madhe për këtë vajzë tjetër, se ajo po merrte mikrobe nga kufjet e djalit tim – seriozisht, mikrobe në klasën e tetë! – kështu që nxënësja tha se më mirë është të anashkalonte detyrën në vend që të nxiste zemërimin e influencueses. Disa mësues u ankuan edhe te disa prej nxënësve, përfshirë djalin tim, sepse ata mendonin se për sa kohë që detyroheshin të konkurronin me një instagramere të njohur e cila kërkon vëmendje, ishte e vështirë, nëse jo e pamundur, të ligjëronin siç duhet.

Kur e pyeta një administratore të shkollës për ndikimin që kishte kjo rrymë e vazhdueshme e fotove magjepsëse te këta fëmijë 13 dhe 14 vjeç, ajo thjesht ngriti duart lart. Çfarë duhej të bënte shkolla nëse këto postime ndodhin jashtë mureve të shkollës? Të paktën për shkollat ​​publike, Gjykata e Lartë ka thënë se Amendamenti i Parë kufizon atë që shkollat ​​mund të bëjnë për të penalizuar aktivitetin e mediave sociale jashtë objektit dhe se sjellja në internet e nxënësve në kohën e tyre jashtë orarit është kryesisht përgjegjësi e prindërve dhe jo e zyrtarëve qeveritarë. Edhe kufizimi i përdorimit të telefonit në shkollë – siç e kanë bërë tashmë ose kanë propozuar një numër i distrikteve shkollore në të gjithë vendin – nuk do ta zgjidhte vërtet këtë problem.

“Të gjitha këto çështje me mediat sociale, po dalin tani në pah dhe kërkimet janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme”, më tha kohët e fundit Marc Berkman, CEO i Organizatës jofitimprurëse për Sigurinë e Mediave Sociale. “Mujsharja [bulizimi] tradicionale mbaronte në fund të ditës. Por, këta influencerë kanë fuqi më të madhe e cila thjesht nuk ekzistonte më parë”.

Studimet tregojnë se gati 60 përqind e Gjeneratës Z do të bëheshin influencues po ta kishin mundësinë për ta bërë këtë. Kjo duket se nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti, duke pasur parasysh joshjen dhe potencialin për të fituar më shumë para. Edhe nëse aftësia për të fituar para të mëdha nis të zbehet, siç raportoi së fundmi The Wall Street Journal, shumica e adoleshentëve janë mësuar që ta dokumentojnë aq shumë jetën e vet në internet, saqë duket e vështirë se do ta fusin përsëri atë xhind në shishe.

Shkolla e mesme është mjaft e ndërlikuar pa të gjitha presionet shtesë të krijuara nga një influencuese e mediave sociale që rri ulur pranë teje. Nëse shkollat ​​nuk janë në gjendje të gjejnë mënyrën për t’i ndaluar që të ndikojnë negativisht në kohën e shkollës, atëherë u takon fëmijëve si djali im që thjesht të mos ia kushtojnë vëmendjen. Nga lënda e shkencave e shkollës së mesme, dimë se zjarri ka nevojë për oksigjen për t’u djegur. Duke mos i ndjekur apo pëlqyer postimet e një nxënësi me ndikim, fëmijët munden të ndryshojnë ekuacionin dhe t’i lejojnë mësuesit të fokusohen në mësimdhënie në vend që të konkurrojnë për vëmendjen e nxënësve. /Telegrafi/