Site icon Telegrafi

Djali i Ibrahimovicit stërvitet për herë të parë me kombëtaren, gazetarëve u ndalohet të flasin me të

Vincent Ibrahimovic, djali i futbollistit legjendar Zlatan Ibrahimović, ishte i ftuar në kampin e kombëtares suedeze për lojtarët e lindur në vitin 2008 dhe në grumbullimin e parë pati një interesim të paparë nga gazetarët.

15-vjeçari aktualisht është anëtar i ekipit të të rinjve të Milanit dhe në kamp janë ftuar gjithsej 66 futbollistë të cilët do të tentojnë të luftojnë për një vend në përzgjedhjen e trajnerit.

Kur mori thirrjen, u shkruan artikuj për të në të gjithë botën. Për shkak të tij, në kampin ku janë mbledhur futbollistët, prezente kishin qenë një numër i madh i mediave dhe për këtë ishin marrë masa të veçanta sigurie.

“Gazetarët nuk lejohen të flasin me të. Vlerësimi kolektiv është se ai nuk duhet të jetë i disponueshëm për mediat. Ai duhet të ketë një hyrje sa më të natyrshme në këtë mjedis”, ka thënë zëdhënësja e Federatës Suedeze të Futbollit, Petra Thorén, e cila megjithatë la të hapur mundësinë për të biseduar me disa nga 65 lojtarët e tjerë.

Kur filloi stërvitja, Vincent Ibrahimovic dhe grupi i tij ishin larg kamerave, në anën tjetër të fushës.

Teksa kur flasim për aftësitë e tij si futbollist, sipas mediave suedeze Ibrahimovic arriti të impresionojë stafin e trajnerëve duke shënuar disa gola të bukur në rolin e mesfushorit qendror.

Kujtojmë se përveç Vincentit, Zlatan Ibrahimovic ka edhe një djalë, Maksimilianin dhe kjo është hera e parë që njëri prej tyre ka mundësinë për të luajtur për Suedinë./Telegrafi/

Exit mobile version