Telegrafi

Djali i ambasadorit Bejko plagosi të riun

Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00 në afërsi të shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë kur Aglind Bejko, 25 vjeç, djali i ambasadorit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Behar Bejko, dyshohet se qëlloi me pistoletë 24-vjeçarin Martin Nonaj.

Ky i fundit u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I plagosuri kishte marrë një plumb në këmbë. Policia nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve “NOA” se dy të rinjtë kishin nisur sherrin në ambientet e brendshme të një lokali ku ndodheshin në tavolina të ndryshme. Një shikim i zgjatur ka shqetësuar djalin e ambasadorit, i cili vazhdoi sherrin jashtë lokalit.

Mësohet se Nonaj e qëlloi me shpullë Bejkon pas fjalëve fyese të ndërsjella, gjë e cila dyshohet se e ka detyruar atë të nxjerrë pistoletën. /Telegrafi/