Site icon Telegrafi

Djali humbi jetën si luftëtar në Siri, prindërit u nisën për të gjetur trupin por mbetën në kamp

Dragostunja në Librazhd është një prej fshatrave nga ku familje të tëra u nisën drejt Sirisë.

Një prej rasteve është ai i Ali dhe Ruzhdie Balliut, të cilët në atë kohë thanë se do të shkonin për të kërkuar djalin që ishte nisur drejt vendit në konflikt. 6 vjet më pas, Rruzhdie Balliu rezulton se jeton në kampin Al Hol, ndërsa për burrin nuk dihet!

Gjashtë vjet më parë, Ali dhe Ruzhdie Balliu nga Dragostunja e Librazhdit u nisën bashkë drejt Sirisë në kërkim të të birit që u kishte thënë se do të shkonte për studime në Arabinë Saudite, por përfundoi luftëtar i Shtetit Islamik.

Ata janë prindërit e Idajet Balliut, të riut në këtë foto që u vra si luftëtar i Kalifatit më 15 gusht të vitit 2015, në Alepo.

Prej asaj kohe, burrë e grua mbetën atje në mes të luftës, pasi misioni për të kthyer djalin në shtëpi dështoi.

Vëllai i Ali Balliut: Nuk vajti as luftëtar, as nuk ka qenë i rrezikshëm. Shumë fetar nuk ka qenë.

Kur i ashtuquajturi Shteti Islamik u shkatërrua nga koalicioni ndërkombëtar, Ali dhe Ruzhdie Balliu ashtu si shumica e familjeve shqiptare që ishin pjesë e luftës u ndanë.

Gruaja përfundoi në kampin Al Hol, aty ku janë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ndërsa fati i Burrit nuk dihet nëse është gjallë.

Vëllai: I presim të na kthehen. I presim dita-ditës.

Por Ali dhe Ruzhdie Balliu nuk janë të vetmit Banorë të Dragostunjës që udhëtuan në Siri.

Shyqyri Kasa po ashtu është bërë pjesë e luftës atje.

Për banorët e Dragostunjës, historitë e tyre janë të njohura. Por siç e kanë kodin në fshatrat e vogla, për të njohurit ca gjera nuk thuhen.

Ndaj ata i shmangin komentet.

Banorët e Dragostunjës në Librazhd janë të njohur si besimtarë të devotshëm myslimanë. Por disa vite më parë, një grup të rinjsh kryesisht të shkolluar në lindjen e mesme futën në fshat frymën e një Islami të ndryshëm nga ai Tradicional dhe të njohur nga Komuniteti Mysliman.

Exit mobile version