Telegrafi

Djali i Gaddafit edhe zyrtarisht kandidon, Saif al-Islam në garë për president të Libisë që është në kaos nga vdekja e babait të tij

Djali i ish-liderit libian Muammar Gaddafi, Saif al-Islam, ka kandiduar për zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në dhjetor, e këtë e ka konfirmuar për mediat lokale një anëtar i komisionit zgjedhor.

“Saif al-Islam ka paraqitur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale në zyrën e Komisionit Zgjedhor në Sabhi në jugperëndim të Libisë”, ka shtuar ky zyrtar për televizionin El-Ramsi, transmeton Telegrafi.

Libia u zhyt në kaos në vitin 2011, kur edhe u rrëzua nga pushteti dhe u vra lideri shumëvjeqar Muammar Gaddafi.

Viteve të fundit ky vend është ndarë në dy qeveri paralele – ata që kontrollojnë lindjen, e tjetra pjesën perëndimore të Libisë.

Secila prej tyre ka pasur mbështetjen e njësive paramilitare dhe të disa shteteve.

Armëpushimi është në fuqi nga tetori i vitit të kaluar, e tani këtë vend po e menaxhon qeveria transitore që ka për detyrë ta përgatis vendin për zgjedhjet e dhjetorit. /Telegrafi/