Telegrafi

Djali i aktivistëve të zhdukur gjen familjen pas 40 vjetësh (Video)

Një burrë, prindërit e të cilit u rrëmbyen nga agjentët e shërbimit sekret argjentinas në vitin 1977, është ribashkuar me familjen e tij biologjike.

Siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, Javier Darroux Mijalchuk ishte vetëm katër muajsh kur babai i tij dhe nëna shtatzënë u zhdukën në Buenos Aires.

Ai u adoptua më vonë nga një familje që nuk e dinte prejardhjen e tij.

Por pak vite më parë, ai filloi të dyshonte në identitetin e tij të vërtetë dhe kërkoi ndihmë nga organizata për të drejtat e njeriut, Grandmothers of the Plaza de Mayo.

Grupi ndjek gjurmët e fëmijëve të disidentëve të vrarë ose me forcë të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake të Argjentinës, e cila zgjati nga viti 1976 deri në vitin 1983 dhe i prezanton me familjet e tyre biologjike.

Siç raportojnë mediat, Darroux është fëmija i 130-të që organizata ka identifikuar, pasi ka kryer testet e ADN-së.

Duke folur për gazetarët, ai falënderoi xhaxhain e tij Roberto Mijalçuk, të cilin ai tha se e kishte kërkuar atë për katër dekadat e fundit.

Ai shtoi se tani do të përpiqet të gjejë më shumë informacion rreth prindërve të tij, Juan Manuel Darroux dhe Elena Mijalchuk. /Telegrafi/