Një djalë 2-vjeçar është shpëtuar në sekondat e fundit nga fqinjët, të cilët e kapën me një batanije derisa ai kërceu nga dritarja e katit të tretë të një ndërtese.
Kjo skenë rrëqethëse është filmuar nga një kalimtar rasti në Kagithan në Stamboll të Turqisë, transmeton Telegrafi.
Banorët e lagjes për fat të mirë kishin vërejtur me kohë vogëlushin që qëndronte i varur në dritaren e apartamentit ku jeton, dhe menjëherë kishin reaguar duke u grumbulluar për ta mbajtur batanijen si mburojë që të mos përfundojë në tokë.
Nëna e vogëlushit nuk ishte në dijeni që ai i është përvjedhur dhe ishte ngjitur në dritare, ndërsa një grua tjetër që shihet nga dritarja e dhomës tjetër besohet të jetë një fqinje që mundohej ta shpërqendronte vogëlushin, me qëllim që t’i jep më shumë kohë fqinjëve që të përgatiten.
Për fat të mirë edhe pse ra nga dritarja ai u shpëtua pa as më të voglin lëndim, ndërsa sipas Gurkay Guney që kishte parë i pari vogëlushin në dritare, ka deklaruar se ai kishte tentuar të futet sërish në dhomë, por nuk ishte mjaft i fuqishëm.
“Ai mbeti i varur edhe pse mundohej të futej në dhomë, aty e kuptova që do të bie dhe menjëherë kërkova ndihmën e fqinjëve tjerë që e shpëtuan me batanije”, ka shtuar ai. /Telegrafi/