Djali i madh i Cristiano Ronaldos e ka lutur babanë e tij të mos pensionohet, sepse dëshiron të luajë bashkë me të në fushë.
Superylli portugez i ka mbushur 37 vjet në muajin e kaluar, ndërsa shumëkush po sugjeron se edhe sulmuesin e Manchester Unitedit e ka arritur mosha dhe se nuk e ka më potencialin e duhur për nivelet e larta të futbollit.
Megjithatë, CR7 gjithmonë ka thënë se planifikon të luajë edhe pas moshës 40 vjeçare dhe këtë e kishte përsëritur gjatë këtij viti.
Porse për të bërë të lumtur djalin e tij 11 vjeçar, ai mund të vazhdojë të luajë për një kohë shumë më të gjatë.
Cristiano Jr po tregohet një lojtar premtues duke filluar të jepte shenja që nga Akademia e Juventusit, ndërsa gjatë këtij muaji nënshkroi për t’u bërë pjesë e Akademisë së të rinjve të Manchester Unitedit.
“Djali im më thotë: ‘Babi, qëndro edhe disa vite – dua të luaj me ty”, citon The Sun fjalët e Ronaldos, i cili në janar kishte publikuar fotografi të përbashkëta me djalin duke u stërvitur me përshkrimin: “E tashmja dhe e ardhmja”. /Telegrafi/