Në shumë raste, Telegrafi ju ka prezantuar koncepte të ndryshme të iPhone apo iPad, të cilat janë bërë nga dizajnerë dhe zhvillues të ndryshëm në botë, ndërsa kësaj radhe, lexuesit e portalit më të madh shqiptar do ta kenë kënaqësinë e leximit dhe vlerësimit të një koncepti të cilin dizajneri Luan Gjokaj e ka bërë për orën e re të mençur të Apple, për të cilën tashmë një kohë të gjatë flitet, dhe publikohen data të mundshme të lansimit në treg.
Në portfolion e Luanit në rrjetin Behance mund të shihen të gjitha pamjet e konceptit të tij për iWatch, dhe nëse ato shihen nga ekipi i Apple, krijuesi i këtij koncepti mbase do të mund të kontaktohet nga prodhuesi i iPhone, për tu zbatuar në ndërfaqen e iWatch.
Në fakt, koncepti i bërë nga Luani është i detajuar, pasi që në prezantim shihet ekrani i iWatch gjatë hapjes dhe mbylljes së orës, shfaqja dhe radhitja e aplikacioneve, leximi i SMS porosive, paraqitja e një numri thirrës në orë, apo edhe grafikat e aplikacionit për përcjelljen e shëndetit të përdoruesit të iWatch.
Nëse shkohet më tej, vërehen edhe propozimet e bëra për njoftimet që i merr përdoruesi i iWatch për takime, mesazhet nga të tjerët, apo edhe hartat për navigim përmes orës së tij të mençur.
Koncepti i Luan Gjokajt në Behance është vlerësuar lart edhe nga anëtarët tjerë të Behance, të cilët vijnë nga vendet e ndryshme të botës, por edhe nga ne, si staf i Telegrafi.com, të cilët i përcjellim shumicën e ngjarjeve kryesore të lidhura me kompaninë Apple, por edhe konceptet e bëra nga të tjerët për produktet e kompanisë më të njohur botërore për produkte me dizajnin unik.
Pyetja jonë për ju Telegrafista është: a do ta blinit orën e Apple, iWatch nëse e njëjta do ta kishte këtë dizajn tepër modern dhe të thjeshtë për tu përdorur? Na tregoni përshtypjet tuaja në komentet më poshtë.