Site icon Telegrafi

“Sikurse ajo e Muzeut Kombëtar në Gdansk të Polonisë”, dizajneri Komoni konteston origjinalitetin e logos fituese të Muzeut të Artit Bashkëkohor

Dizajneri grafik nga Kosova, Shpat Komoni, ka reaguar pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përzgjedhur logon fituese të Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Komoni, duke kontestuar origjinalitetin e logos fituese të autorit Valon Kurteshi, dizajnerit kosovar që jeton në Zvicër, ka gjetur ngjashmëri me logon e Muzeut Kombëtar në Gdansk të Polonisë.

Dizajneri Komoni, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot qenka përzgjedhë logoja fituese e Muzeut të Artit Bashkëkohor. Urime!”.

“Një informate me rëndësi: Muzeu Kombëtar në Gdańsk, njëri ndër muzetë më të vjetër në Poloni e paska ribrendu muzeun në shkurt të vitit 2023”, ka shkruar Komoni, transmeton Telegrafi.

Në fund ai ka shkruar: “Pyeteni dizajnerin mos është ‘inspiru’ nga kjo llogo?”.

Lexo po ashtu Përzgjidhet logoja fituese e Muzeut të Artit Bashkëkohor

Ndryshe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se pas përfundimit të fazës së parë të vlerësimit të dyzet (40) aplikimeve për logo të Muzeut të Artit Bashkëkohor, u kualifikuan dhe publikuan tri (3) shifrat e logove me potencial të përzgjedhjes në fazën e dytë (përfundimtare) të vlerësimit.

“Pas prezantimit mjaft serioz të autorëve rreth zhvillimit të idesë së logos dhe asaj që përfaqësohet përmes logos, juria vlerësuese unanimisht përzgjodhi aplikacionin më të suksesshëm, i cili plotësonte kriteret estetike, përmbajtësore, kreative dhe institucionale (sipas thirrjes publike), ku fitues i konkursit për logon e Muzeut të Artit Bashkëkohor u shpall logo nën shifrën 811984998, konkretisht, dizajnerit që punon dhe vepron në Zvicër, z. Valon Kurteshi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version