Telegrafi

Ditëve të fundit në Prishtinë ajri ishte shumë i ndotur

Bazuar në matjet e realizuara nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë së ajrit është vërejtur se gjatë ditëve të fundit janë paraqitur tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.

Vlera kufitare ditore e lejuar për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50ug/m3, ndërsa gjatë këtyre ditëve vlera maksimale e mesatares ditore është shënuar me datë 23.01.2017 e cila ka arritur në vlerën 68.9µg/m3.

Ndërsa përqendrime të larta janë paraqitur me ndotësin PM2.5 i cili ka arritur vlerën maksimale e mesatares ditore po të njëjtën ditë dhe në të njëjtin lokacion, nga ku arrin vlerën në 67.9µg/m3.

Ky përkeqësim i gjendjes ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të pa favorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikur se janë dukshmëria e dobët (mjegulla), shpejtësia e erës, lagështia e lartë e ajrit, shtypja atmosferike, temperatura e ultë.

Kjo gjendje ka ndikuar që mos ketë shpërndarje të koncentrimit të ndotësve që emitohen nga industria, transporti dhe nga ngrohtoret kolektive dhe ato individuale, duke përkeqësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Vlerësimi i përqendrimit të grimcave PM 2.5 në përputhshmëri me standardet e kualitetit të ajrit bëhet duke u bazuar ne vlerën vjetore./Telegrafi/