Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, ka hapur zyrtarisht programin “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Londër.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, bashkë me ambasadorin Lirim Greiçevci, ka pritur mysafirë dhe personalitete në Ambasadën e Kosovës në Londër për të hapur zyrtarisht këtë aktivitet.
Murati ia dorëzoi zyrtarisht çmimin për kontribut të veçantë për diasporën historianit dhe akademikun britanik, Sir Noel Malcolm. Me këtë rast, ministri Murati theksoi se ky çmim i jepet Sir Malcolmit në shenjë nderimi për kontributin e tij.
Sir Malcolm tha se është i nderuar ta pranojë këtë çmim nga Ministria e Diasporës dhe se është kënaqësi të kontribuojë në zbardhjen e rolit të shqiptarëve jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Në ditën e parë të aktivitetit u shfaqën tre filma nga Kosova.
Së pari, u shfaq filmi dokumentar “117”, i regjisorit Besim Sahatçiu, ndërsa më pas filmat e metrazhit të shkurtër “Shok” dhe “Kanarinat e dinë”.
Ditët e ardhshme do të jepet shfaqja “Sikur kjo të ishte shfaqje”, koncerti i Elina Dunit, si dhe do të hapet ekspozita e fotografit Fadil Berisha “Albanian Beauty”.
Ditët e Kulturës Shqiptare do të zgjasin deri më 4 dhjetor. /Telegrafi/