Telegrafi

Ditën e Çlirimit e kalojnë në gjykatë

Të akuzuarit në seancën përfundimtare kanë deklaruar edhe një herë se janë të pafajshëm. Ata thanë se veprimet e tyre nuk paraqesin vepër penale. Rexhep Hasani, avokati mbrojtës i drejtorit të DA-së, Nexhat Çoçaj tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria nuk ka bazë ligjore. Ai kërkoi që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm. “ Jam i bindur se gjykata do t’i shpallë të pafajshëm“, tha Hasani, raporton “Prizrenpress”.

Prokurori Metush Biraj, ndërkaq ka kërkuar nga gjyqtarët që të akuzuarit të shpallen të fajtor. Sipas tij, akuza e ngritur nga Prokuroria ka bazë ligjore.

Zyrtarët e arsimit në Prizren, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata e Qarkut në Prizren, më 12 shtator 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor ndaj tre zyrtarëve të Drejtorisë Komunale tw Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt- drejtor, Reshit Kushaj,-zyrtar në këtë drejtori dhe Nezir Osmani, zyrtar për buxhet. Akuza i ngarkon zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese NTSH “Shpejtimi” nga Suhareka i kishte plotësuar kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, nuk e kanë përfillur ftesën për ofertë dhe si fitues kanë shpallur firma më të shtrenjta dhe të cilat nuk ishin të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI). Në ftesën për ofertë parashihej si kusht edhe pajisja me licence nga MTI-ja.

Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, ka bërë padi në Prokurorinë e Qarkut. Ai ka deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40 250 eurosh. Ai, po ashtu, përmendi se për pajisje me licencë nga MTI-ja paguan 20 000 euro në vit, e cila është garanci për kalimin e grupeve jashtë shtetit.

“Shpejtimi” ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, që posedonte licencë dhe i plotësonte të gjitha kushtet, dhe kishte ofruar çmimin më të lirë – 108 euro për nxënës. Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh. Shpallja e vendimit, do të bëhet me datën 17 të këtij muaj në orën 8:30. /Telegrafi/