Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditëlindjen e heroit Gjergj Kastrioti- Skënderbeu theksoi se shembull i tij mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se jeta dhe vepra e Skënderbeut ka skalitur dhe mbajtur gjallë në gjenezën e secilit shqiptar guximin për rezistencë, luftën ndaj pushtuesve e dëshirën e flakët për liri.
“Më 6 maj të vitit 1405, u lind heroi i madh shqiptar, prijësi historik, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jetëshkrimi i tij 63 vjeçar në trojet shqiptare, është i mbushur me sfida e sakrifica, por, mbi të gjitha, me patriotizëm e atdhedashuri.
Guximin dhe shkathtësitë e tij prej strategu i kishte dëshmuar në shumë beteja, ndërkaq, aftësinë prej burrështetasi, Skënderbeu e dëshmoi në Lidhjen e Lezhës, duke i bërë bashkë të gjithë princat shqiptarë nën një komandë.
Jeta dhe vepra e Skënderbeut ka skalitur dhe mbajtur gjallë në gjenezën e secilit shqiptar guximin për rezistencë, luftën ndaj pushtuesve e dëshirën e flakët për liri. Shembulli i tij mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar”, shkruan Krasniqi. /Telegrafi/