Spitali i Përgjithshëm i Pejës feston 99 vjetorin e krijimit të këtij institucioni. Më 5 qershor të vitit 1925 u hap për herë të parë Shërbimi Higjeniko –Epidemiologjik, e pastaj duke vazhduar me hapjen e degëve të tjera të cilat funksionojnë edhe sot.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka rikujtuar këtë datë historike, duke thënë se hapja e këtij institucioni ishte mundësuar nga fondi amerikan “Rockfeler”.
“99 vite më parë, saktësisht më 5 qershor të vitit 1925 në Pejë u formua Institucioni i parë shëndetësorë në Kosovë që atëherë u quajt Shërbimi Higjeniko –Epidemiologjik. Ky Institucion ishte formuar me ndihmën e fondit “Rockfeler” nga SHBA”, shkruan institucioni shëndetësor, transmeton Telegrafi.
Ata e kanë pasqyruar këtë edhe me një foto ku shihen mjek dhe qytetarë të shumtë të cilët e bënë përurimin e këtij spitali rreth një shekulli më parë.
Vlen të theksohet se Spitali i përgjithshëm i Pejës po bëhet pikë referuese për operimet e rralla dhe të komplikuara që po kryhen në këtë institucion. /Telegrafi/