Ish-luftëtari i UFC-së, Felipe Colares, ka vdekur rrugës për në spital pasi u përplas nga një autobus në Rio de Janeiro, teksa po kthehej në shtëpi nga stërvitja.
Me tetë fitore dhe asnjë humbje, ai kishte hyrë në UFC katër vite më parë, ku qëndroi deri vitin e kaluar, kur u shkarkua pasi pati dy fitore dhe katër humbje në gjashtë ndeshje.
Më pas u rikthye tre muaj më parë në kafazin e ARES-it francez ku festoi me një triumf që në raundin e dytë.
Ex-UFC Fighter Felipe Colares Dead At 29 After Being Hit By Bus In Brazil https://t.co/MEcPoXHP5A
— TMZ (@TMZ) May 1, 2023
Colares u përplas nga një autobus pasditen e djeshme (e hënë) në rrugët e Rios. Ambulanca ka mbërritur me shpejtësi në vendin e aksidentit, por luftëtari brazilian ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Në fillim të vitit, ylli i arteve të përziera marciale u bë i popullarizuar në publik kur mposhti një hajdut që kishte grabitur një femër në një plazh duke ia vjedhur telefonin celular.
29-vjeçari ka lënë pas gruan dhe djalin e tij gjashtëmuajsh, ndërsa bota e arteve marciale mban zi për njeriun që luftoi në kategorinë e peshave të lehta. /Telegrafi/