Site icon Telegrafi

Ditari i një papagalli të vetmuar

Ikonoklastët e këtij nëntori
1.
E enjte. Nëntor. Gjithë bota nisë e shkruan nga i pari, nga e hëna, ndërsa unë ngaqë jam zog i dënuar për të përsëritur kësaj radhe nuk desha të bije në kurthin e iniciacionit. Nisa nga një e enjte e ngrysur, nga kjo e enjte që po ikën e veshur me klithjet e skamjes, jehonat e zgjedhjeve, tupanët dhe gjithë zallamahinë e këtij kryeqyteti me buzët e mermerta dhe smogun e frikshëm mbi fytyrë. Është ftohtë në ballkon, por ja që më kanë vënë të vështrojë turmat që vejnë e vijnë nëpër kalldrëmin e porositur në Kinë.

Kur jemi te ky mermer i ardhur nga larg, më kujtohet një natë para zgjedhjeve të kaluara, thellë në errësirën e blirëve të zhveshur, se si disa njerëz me shufra hekuri dhe çekanë thyenin gurët e mermertë të sheshit. Nuk e kisha idenë, – se ne, zogjtë, nuk dimë të thyejmë gurë,- pse e bënin atë. Në varfërinë e dijes sime, kuptoja se po bënin diçka të keqe, derisa ata vazhdonin të rrëshqisnin si zvarranikë gurëthyes të devotshëm me çekanë dhe dalta në duar.

Më vonë, duke sjellë e stërsjellë nëpër kokë këtë akt të luajtur në skenën e një nate nëntori, duke u përpjekur gjithnjë të deshifroja porosinë, motivin dhe shkakun e një shkatërrimi të tillë, kisha arritur të kuptoja se thyerjet e atij mermeri, shëmtimi i atyre gurëve të pafajshëm (shërbimtarë gjer në vdekje, të shtrirë më flijim për jetë të jetëve nën këmbët e këtyre njerëzve mosmirënjohës!), kishte natyrë politike, një algoritëm të disa kundër disave tjerë, pra dikush që kishte dëshirë të mundte politikisht dikë tjetër, kishte përdorur edhe daltat e çekanët për të shëmtuar dhe, me këtë, shantazhuar dikë që, sipas logjikës, do të mund të ketë dhënë urdhër të shtroheshin ata gurë mermeri. Në fund fituan, megjithatë, ata që kishin shtruar sheshin.

Kështu bëjnë vetëm njerëzit. Ata i marrin dheun nën këmbë njëri tjetrit, i rrëmbejnë kafshatën e gojës tjetrit. Janë hiena me kravatë.

2.
Pra, më kanë vënë në ballkon dhe unë kam gjithë kohën e Zotit për t`u kacafytur me të ftohtët. Gjaku i një zogu llomotitës, ndoshta nga mallkimi i jehonave të përditshme, nga ky gjykim i evolucionit të amshueshëm dhe drakonik, është i butë dhe s`e duron dot acarin.

Nga ballkoni shoh gjithçka, të pashmet e të papashmet, të dukshmet e të padukshmet, ndërsa veshi im i ndjeshëm dëgjon edhe dialogët e brendshëm të këtyre të mosmirënjohësve të pashpresë që rrëshqasin me gjithë shpresat e mallkimet tyre përmbi këtë mermer të akullt. Natën shoh djem të kërleshur, që kërcejnë sikur hamshorë duke u ngjitur ngado për të shqyer e shkatërruar reklamat elektorale të ngjitura gjithandej këtij sheshi. Ata i shqyejnë e shkatërrojnë ato me aq epsh e vrazhdësi, sa të bëhet të besosh se janë arkangjelë të pa flokë ata që deri para pak çastesh lëvareshin gjithë buzëqeshje tinëzake nëpër muret lakuriqe të sheshit.

Aradha e gjuetarëve rrotelë që nuk lënë gjë pa shqyer, punon pa ndaluar dhe hedh poshtë gjithë letrën dhe imazhet e ikonave të përditshmërisë elektorale të kësaj republike. Një tjetër aradhë, aspak më e mëshirshme, si për inat, vjen dhe zhvesh edhe ato pak mure nga ikonat e mbetura si për mashtrim. Në mëngjes gjithçka është shkretim, si pas një beteje. Ikonat shpresëdhënëse dje, sot gdhihen me buzë përtokë. Nuk ka më soj përmbysës në këtë botë se njeriu. Aq më shumë, kur vetë ngret dhe vetë shkretëron.

Po ato ikona të rrëzuara përtokë mbrëmë në TV lëshonin mjaltë nga goja, vizionet e tyre për kryeqytetin ishin parajsore: uji – kjo s`paraqet më temë; pastërtia – nuk diskutohet; zhurma, tymi, qarkullimi, ndërtimet (ky beton e hekur i egër që mbinë gjithandej si makth gjigant i pamundur!) – ne këto probleme veç po i zgjidhim (`kemi formuar një grup ekspertësh i cili po merret me këtë çështje…`). Për gjithçka ikonat kishin zgjidhjet në majë të gjuhës së tyre të papushueshme.

Mbrëmë, para tyre, derisa zonja lëshonte herë pas here ndonjë `eh` refuzuese, unë e kam ndjerë njëfarë kompleksi të inferioritetit madje në të vetmen aftësi timen të paprekshme: në përsëritje. Ikonat që sot gdhinë me fytyrë në mermer, të përmbysura dhe të shkelura, mbrëmë përsërisnin më me besnikëri se ne (lloji ynë i shëtuar me përsëritjen!) gjithë atë sintaksë magjike për një kryeqytet parajsor… dhe unë gati po ndjehesha i lumtur me botën e gënjeshtrave të tyre.

Dhe derisa flisnin, u kujtova se edhe këta, sikur ata djemtë e veshur me terr e mllef që shqyenin imazhet elektorale nëpër muret e Prishtinës së fjetur, po thyenin një ikonë: ikonën e besës së mbajtur, veçse këta këtë në vend se me duart e shashtisura nga dalldia e orgjisë letrare, këtë e bënin me fjalë, duke përsëritur vazhdimisht dhe pa pushim qëllimet e tyre, vizionet, idetë…

Nëntor. E enjte. Ikonoklastët me kravata së shpejti do të ngrenë dollinë e mundjes së tjetrit dhe sekush për vete do të ngushëllohet me vetminë e faktit se ka vetëm një fitues në fund të përrallës me acar, dalta dhe fjalë papagajsh.

Exit mobile version