Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Komunën e Prishtinës, OJQ-të “Let’s do it Kosova”, “REC”, “GAC” dhe SHFMU “Shkolla e Gjelbër” shënojnë 22 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare pa Makina me disa aktivitete.
Sevdije Lama, këshilltare në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tregoi se kjo ministri përkrah gjithmonë aktivitetet që synojnë sensibilizimin e qytetarëve që makinat t’i zëvendësojnë me biçikleta apo me mjete tjera jo të dëmshme për mjedisin.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përkrahëse e aktiviteteve të tilla që synojnë sensibilizimin e qytetarëve që të paktën një ditë t’i lënë makinat e tyre që emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, dhe t’i zëvendësojnë ato me biçikleta apo me mjete më miqësore për mjedisin”.
“Aktiviteti i sotëm në kuadër edhe të fushatës tremujore ‘Ta pastrojmë Kosovën’, pjesëmarrja aktive e qytetarëve në përmirësimin e gjendjes së mjedisit është indikator që tashmë mjedisi dhe mbrojtja e tij janë prioritet i qeverisë dhe shoqërisë”, tha Lama, e cila bëri të ditur se për vitin 2019 MMPH-ja do të përkrahë projekte për shtimin e hapësirave të gjelbra, raporton Ekonomia Online.
“Ministria e Mjedisit edhe për vitin e ardhshëm buxhetor 2019 do të përkrahë projekte për shtimin e hapësirave të gjelbra si dhe mirëpresim dhe përkrahim projektet e Komunës së Prishtinës për krijimin e shtigjeve të reja për biçikleta”.
Drejtoresha e shkollës “Shkolla e Gjelbër”, Fahrije Retkoceri, ka treguar për shkollën të cilën e drejton dhe ka ftuar që të gjithë njerëzit të kontribojnë në mirëqenien e njeriut.
Luan Hasanaj, Let’s Do It Kosova, ka thënë se kjo është ndër javët më të rëndësishme në Kosovë.
“Është java më e rëndësishme e mjedisit që ka ndodhë ndonjëherë në Kosovë. Të fillojmë të mendojmë më seriozisht për shtigje për biçiklistë dhe shtigje për qytetarë. Në këtë mënyrë të vazhdojmë ta mbrojmë Kosovën tonë dhe vetëm ne duhet të kujdesemi për të”, tha ai.