Site icon Telegrafi

Dita Ndërkombëtare e Radios: “Radar” dhe “Wake Up” bashkojnë frekuencat

Këtë të enjte, më 13 shkurt, shënohet Dita Ndërkombëtare e Radios, një festë e rëndësishme për mediumin që vazhdon të mbajë lidhur audiencat me informacionin, muzikën dhe debatet më interesante.

Në këtë kuadër, dy nga emisionet më të dëgjuara në Kosovë dhe Shqipëri, “Radar” nga Radio Dukagjini dhe “Wake Up” nga Top Albania Radio, do të bashkojnë forcat për një transmetim të përbashkët.

Në një manifestim të veçantë, Edita Doli nga “Radar” do të lidhet drejtpërdrejt me Blendi Salaj, Enxhi Nasufin dhe Neada Muçaj nga “Wake Up” për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të diskutuar mbi rëndësinë e radios në epokën e digjitalizimit.

Ky program i veçantë do të transmetohet njëkohësisht në të dyja shtetet, më 13 shkurt, nga ora 09:00 deri në 09:30, duke ofruar një përvojë unike për dëgjuesit.

Radioja mbetet një ndër mediumet më të fuqishme në informim dhe argëtim, dhe ky bashkëpunim mes dy emisioneve lidere është një dëshmi e ndikimit të saj në botën shqiptare.

Dëgjojmë së bashku – për një radio më të fortë dhe më të afërt me publikun! /Telegrafi/

Exit mobile version