Site icon Telegrafi

Dita Ndërkombëtare e Librit: Sipas mësimdhënësve të rinjtë nuk kanë interes për të lexuar

Thuajse për çdo vit bie interesimi për të lexuar libër pavarësisht se libri historikisht ka qenë instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive, si dhe mjeti më efikas për ruajtjen e tyre. Mësuesja dhe shkrimtarja e re Nertila Pitarka Veseli gjithashtu tha se edhe këtë vit në ditën ndërkombëtare të librit, 23 prill, janë të paktë të rinjtë që lexojnë, posaçërisht nxënësit e shkollave fillore.

“Fëmijët janë të etur për lexim mirëpo kur nuk ka materiale të mjaftueshme, kur nuk lexohet në shtëpi, kur nuk mjafton koha e prindit të ulet dhe të lexon me fëmijët në shtëpi, kjo është e tmerrshme, është gjendje e tmerrshme. Shpesh herë kur ua jap lektyrat ti lexojnë në shtëpi shumë pak vijnë të përgatitur dhe gjejnë arsye të ndryshme sepse nuk e kanë traditën e leximit. Lektyrat janë shumë të shkurtra, nuk kanë ndonjë volum dhe mund të lexohen për një ditë, mjafton të ketë dëshirë, por besoni që dëshira e përgjithshme te fëmijët nuk ekziston se ndoshta edhe nuk është e nxitur”, deklaroi Nertila Pitarka Veseli, mësuese dhe shkrimtare.

Nxënësit që anketuam janë të klasës së tretë. Thanë se në program kishin leximin e disa lektyrave. Disa prej tyre nuk i mbajnë në mend ndërsa për shumë të tjerë thanë se ishin shumë të grisura dhe të shkarravitura.

“Mësuesja na e ka dhënë lektyrën Zoki Poki. A e gjete, a e lexove? Po. A mban mend diçka nga lektyra? Jo”, tha një nxënëse.

“E mban mend emrin e ndonjë lektyre? Po, “Goni Trazovaqi”, Goni nuk ka dit mësim dhe ka qen fëmijë i keq, ka bë shumë prapësira”, u shpreh një nxënëse.

“Lektyra që e mora ishte shumë e grisur. Pasi e lexova lektyrën ja dhashë shokut ta lexoj edhe ai. Në bibliotekë nuk kishte lektyra mjaftueshëm”, shtoi një nxënëse.

Sipas mësueses Pitarka-Veseli, në ditën botërore të librit shumë biblioteka shkollash janë të varfëra, me mungesë të shumë lëktyrave e librave të ndryshëm. Gjithashtu, në përdorim akoma mbeten listat e plota të lekturave shkollore të përpiluara që para 30 viteve, bazuar në plan-programet e vitit 1989. /Alsat.mk

Exit mobile version