Me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të gruas, American School of Kosova (ASK) ka organizuar një aktivitet të veçantë për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe emocional për grate.
Seanca informuese u zhvillua në ambientet e shkollës “Sunflower” dhe kishte si qëllim mbështetjen dhe edukimin mbi këto tema për komunitetet e margjinalizuara.
Në ngjarje morën pjesë gra dhe studentë, si dhe përfaqësues të organizatave të grave, të cilët diskutuan tema të rëndësishme si mirëqenia e përgjithshme, shëndeti mendor dhe ndikimi i menopauzës te gratë.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin këshilla praktike për menaxhimin e stresit dhe rëndësinë e një kujdesi të mirë për shëndetin.
“Esenca e këtij ligjerimi është mirëqenia e shëndetit të gruas. Për nder të 8 marsit, Ne si shkollë (ASK) donin të kontribonim në komunitet me edukim, sic edhe jemi institucion i edukimit” theksoi Tringa Musliu, mësimdhënëse në ASK.
Aktiviteti përfshiu një ligjëratë nga infermierja dhe psikologia e shkollës ASK, të cilat theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin e gruas dhe ofruan këshilla për kujdesin mendor dhe atë fizik.
“Secila grua duhet të dijë për shëndetin e saj, si atë fizik, edhe atë psikologjik, sidomos kur është faza e menopauzës kur, ne si gra ndihemi më ndryshe nga ana emocionale. Unë mendoj se vetdijësime të tilla duhet të vazhdojnë dhe ne si shkollë jemi të hapur të ndihmojmë në këtë aspekt” u shpreh psikolgia Zoge Shala.
Ky aktivitet u pa si i nevojshëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të kontribuar në përmirësimin e kushteve shëndetësore dhe emocionale të grave.
Pjesëmarrësit, përfshirë studentë dhe përfaqësuese të komunitetit, shprehën vlerësim për këtë ngjarje dhe theksuan se aktivitete të tilla janë thelbësore për përkrahjen e grave në komunitet.
Ngjarja përfundoi me dhurimin e disa pakove dhurata, me produkte esenciale për kujdesin fizik, si dhe me një apel për solidaritet dhe angazhim më të madh për përmirësimin e kushteve për gratë dhe vajzat në shoqëri.