Ka ardhur dita, ka ardhur momenti i shumëpritur në futbollin kosovar që ndeshja e fundit në kampionat të vendos për kampionin e ri të Kosovës.
Nuk do të ketë më polemika për stadium, pasi ndeshja do të luhet në qytetin e bukur të Pejës dhe titulli do të diskutohet mes dy skuadrave më të mira në Kosovë.
Gjiganti kosovar, Prishtina do të jetë nikoqire e Dritës në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë me fillim nga ora 16:00.
Kryeqytetasit janë në pozitën e dytë në tabelë me 63 pikë të tubuara pas 32 ndeshjeve ku kanë tri më pak se lideri Drita.
Prishtinën do ta bëjë kampion vetëm fitorja me dy gola diferencë përballë Dritës.
Ndërkohë gjilanasve do t’i kryente punë edhe një humbje minimale apo rezultatet pozitive si barazimi dhe fitorja.
Në dy ndeshjet e zhvilluara këtë edicion, Drita ka rezultate më të mira pasi ka marrë një fitore 0-1 dhe ka barazuar pa gola në Gjilan 0-0.
Do të jetë një duel mes trajnerit më me përvojë shqiptar Mirel Joses përballë kolegut të tij të ri Bekim Isufi.
Mbrojtja më e mira në kampionat që është e Prishtinës do të përballet me sulmin atomik të Dritës.
Prishtina do të kërkojë ta rikthejë titullin në kryeqytet pas katër viteve, ndërsa Drita do ta kërkojë ta bëjë këtë gjë pas 15 viteve.
Pritjet janë të mëdha nga të dyja taboret, por në fund do të jetë vetëm njëra skuadër që do të festojë.
Prishtina do të ketë të pranishëm 1150 tifozë Plisa në stadium pasi kaq bileta kanë në dispozicion.
Ndërkohë Drita do të udhëtojë drejt Pejës me 100 tifozë ‘Intelektualë’ të cilët do të mundohen ta përkrahin fuqishëm skuadrën e tyre për ta rikthyer titullin në qytetin e Gjilanit. /Telegrafi/